Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka qëndruar sot në Viti, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Sokol Halitin, i cili do të jetë sërish kandidat i LDK’së në zgjedhjet lokale.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka lavdëruar Halitin, duke thënë se me punën që ka bërë në Viti ua ka zbardhur fytyrën.
“Ai ka ende shumë punë për të bërë në Viti dhe unë jam i lumtur që në mbledhjen e fundit, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës me unanimitet ka miratuar propozimin tim e të Degës, që Sokol Haliti të vashdojë edhe për një mandat në krye të Komunës së Vitisë. Komunës së bashkëjetesës fetare në harmoni; rajonit me tokat ndër më pjelloret në Kosovë; vendit me mërgatën më të organizuar në Evropë”, ka shkruar Abdixhiku.
Postimi i tij i plotë:
Sot kisha kënaqësinë që si Kryetar i LDK-së të qëndroj në Viti, për herë të parë në këtë cilësi, pranë Sokolit, Kryetarit të Degës e të Komunës, i cili duke punuar për Vitinë, na e ka zbardhë fytyrën të gjithëve, e mua më ka bërë krenar.
Inxhinieri i Bujqësisë, e magjistri i shkencës – Sokoli i Vitisë – është një ndër Kryetarët me performancën më të shkëlqyeshme në vend. Ai ka bërë dallimin në qytet siç ka bërë dallimin në secilin hap të jetës së tij.
Sokoli ishte veprimtar i ditëve të para. Ishte një ndër udhëheqësit kryesor të Unionit të Studentëve dhe një ndër organizatorët e rezistencës dhe demonstratave të viteve 88/89, për çka edhe asokohe u burgos. Si një ndër themeluesit dhe udhëheqësit kryesor të Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve në nivel vendi dhe komune, kontributi i tij njerëzor e patriotik është model që e admirojmë të gjithë.
Sokoli ka transformuar Vitinë. Ka ndërtuar shkolla sa pak qytete tjera në vend; fusha sportive, sheshe, rrugë, parqe – ka rregulluar shtratin e lumit e tokat pjellore të Vitisë kanë marrë vëmendjen e nevojshme përherë. Gjatë pandemisë, Sokoli ishte lider. Niveli organizativ i tij e preokupimi në detaje ishte shembull për të gjithë.
Ai ka ende shumë punë për të bërë në Viti dhe unë jam i lumtur që në mbledhjen e fundit, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës me unanimitet ka miratuar propozimin tim e të Degës, që Sokol Haliti të vashdojë edhe për një mandat në krye të Komunës së Vitisë. Komunës së bashkëjetesës fetare në harmoni; rajonit me tokat ndër më pjelloret në Kosovë; vendit me mërgatën më të organizuar në Evropë.
Sokoli është njeri i fjalës. Është i përkushtuar ndaj familjes së tij, zonjës Bukurije dhe katër fëmijëve të tyre. I përkushtuar ndaj qytetarëve të Vitisë problemet e të cilëve i mbanë si të vetat. Sokoli përfaqëson të gjitha virtytet e njeriut në të cilin beson LDK-ja. Prandaj ne dhe qytetarët bashkarisht do ta mbështesim Sokolin pa rezervë në këtë garë drejt rikonfirmimit të fitores në Viti dhe rikthimit të madh të LDK-së.