Abdixhiku takohet me ministrin francez Haddad, kërkon funksionalizimin e shpejtë të institucioneve të Kosovës

Prishtinë | 27 Kor 2026 | 19:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ministrin e Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, procesin e integrimit evropian dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Sipas njoftimit të LDK-së, në takim është theksuar rëndësia e partneritetit ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjes franceze për proceset demokratike dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Abdixhiku ka theksuar nevojën për funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke e vlerësuar stabilitetin institucional si të domosdoshëm për zhvillimin e vendit.

“Kryetari Abdixhiku theksoi nevojën për funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar se stabiliteti institucional është thelbësor për avancimin e reformave, zhvillimin ekonomik dhe përparimin e agjendës euroatlantike të vendit”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit, lideri i LDK-së shprehu mirënjohje për rolin dhe mbështetjen e Francës ndaj Kosovës ndër vite.

“Po ashtu, ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj në përkrahjen e proceseve demokratike, perspektivës evropiane dhe thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, bëhet e ditur në komunikatë.

Palët diskutuan edhe për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dypalësh dhe për avancimin e Kosovës drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

Të ngjashme