Njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, ka komentuar situatën e krijuar politike dhe bisedimet që po bëhen mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje, duke thënë se e keqja është se ka shumë fakte për të konstatuar se edhe nëse e bëjnë nuk do të funksionojë.
Abdullahu ka thënë se LVV dhe LDK janë dy gjysma që nuk po e bëjnë një tërësi.
Lexoni të plotë postimin e Abdullahut:
“LV dhe LDK janë dy gjysma që nuk po e bëjnë një tërësi. E keqja është se ka shumë fakte për të konstatuar se edhe nëse e bëjnë nuk do të funksionoj. Ky nuk është paragjykimi im. Ky është gjykim në avancë, bazuar në paragjykimet që këto dy forca kanë për njëra tjetrën e si duket ato janë më të forta se vetëdija shtetndërtuese dhe interesat e përgjithshme. Në këto bisedime LV nuk është në element, ajo vazhdon të mos e kuptoj se sa ka fituar në këto zgjedhje. LDK më shumë se potencë për të marrë përgjegjësitë, ofron hezitim dhe prirje për fajësim të partnerit. Prandaj për shkak se krejt kjo nuk po funksionon ka disa zhvillime jo të zakonshme dhe kërkohen disa hapa të domosdoshëm.
1) Involvimi i SHBA-s. SHBA ka qëndruar anash që nga përfundimi i zgjedhjeve. Ka qenë shumë korrekte edhe me deklarime edhe kur ka vizituar z. Kurti në selinë e LV-së me çka në një mënyrë ka pranuar se ai është Kryeministër i ardhshëm. Por tani për hir të shumë proceseve z. Kosnet si ambasador i SHBA-s në Prishtinë, duhet të involvohet drejtpërsëdrejti dhe të shoh mundësitë që të jap këshilla, sugjerime dhe vërejtje të drejtpërdrejta, që kjo situatë të zhbllokohet. Me vazhdimin e qëndrimit anash duke vlerësuar se po respektohet kështu sovraniteti dhe vullneti i qytetarit z. Kosnet nuk do ti kontribuoj as qytetarit as Kosovës.
2) Involvimi i Presidentit. Mos intervenimi i presidentit tani mund të merret edhe si papërgjegjësi e tij për ta zhbllokuar situatën në të mirë të themelimit të qeverisë. Për ta përshpejtuar procesin e marrëveshjes ndërmjet LV-së dhe LDK-së, apo edhe për të kërkuar ndonjë zgjidhje tjetër tani është i justifikueshëm involvimi i tij. Ai duhet dhe ka mundësi ta bëjë këtë në bashkëpunim me deputetët e Kuvendin dhe Gjykatën Kushtetuese.
3) Kalimi i kohës brenda së cilës pajustifikueshëm nuk po krijohet qeveria, më së shumti po e dëmton LV-n. Është krijuar bindja se LV – LDK nuk po pajtohen për ndarjen e pozitave, ndarjen e kulaçit të pushtetit. Kjo për LV-n është humbje e virgjërisë politike ende pa marrë pushtetin. Kurse janë të shumtë ata që po thonë – ‘a ju thojsha as këta nuk janë më të mirë’. Sa më shumë që po zgjatë marrëzia e mospajtimit, aq më shumë po forcohet kjo bindje. LDK me pasivitet tradicional, duke mos lëshuar pe, po e dëmton pandalshëm politikisht LV-n.
4) LDK është trimëruar krejt pa arsyeshëm nga takimi me përfaqësuesin e SHBA-s Grenller. Në të vërtetë faza më e lartë e indikacioneve, se nuk po arrihet ky koalicion, do të jetë kur LDK do të mundohet të krijoj përshtypje tek të gjithë se, Kurti nuk është i përshtatshëm për dialog me Serbinë dhe se LDK duhet të kooperoj me SHBA-t dhe të mos pranoj ta bëjë qeverinë me LV-n mu për këtë arsye. Kjo përpjekje ka ndodhur deri diku nga takimi në Berlin.
5) Përpjekjet e vazhdueshme për ta arsyetuar njërën apo fajësuar partinë tjetër për mosarritjen e marrëveshjes nuk e ndihmon pajtimin as fleksibilitetin e munguar. Përkundrazi po i trimëron edhe LV-n edhe LDK-n që të vazhdojnë, edhe ngeshëm edhe me kryeneçësi politike dhe pa përgjegjësi shtetformuese. Ato po shpresojnë se barikadimi i tyre është i justifikueshëm dhe perceptimi para anëtarësisë është se po bëhet për parimet e proklamuara që herët. Jo. Jo, të dyja janë fajtore, janë shumë fajtore dhe të papërgjegjshme”.