Janë bërë tre muaj që nga zgjedhjet e 6 tetorit dhe ende Kosova nuk ka themeluar qeverinë dhe institucionet e reja.
E gjithë kjo zvarritje është bërë peng i mosmarrëveshjeve ndërmjet dy partive politike Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për një koalicion të mundshëm për bashkëqeverisje.
Por, njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, ka deklaruar për Ekonomia Online se është koha e fundit dhe urgjente për këto dy parti ta tejkalojnë këtë bllokadë politike.
Siç tha ai, kjo ngecje është e pajustifikueshme pasi po dëmton edhe jetën e qytetarit.
Ai tha se faktori ndërkombëtar duhet të bëjnë presion në bashkëpunim me presidentin e vendit që të përshpejtohet ky proces.
“Ngecja e gjithë këtij procesi për të gjetur një marrëveshje e për ta themeluar qeverinë po bëhet e pajustifikueshme. Vonesat janë të gjata dhe çfarëdo shpjegimi është i pajustifikueshëm duke pasur parasysh proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe duhet të kaloj vendi duke marrë parasysh edhe jetën e qytetarit. Është e udhës që tashme të kërkohet ndihmë edhe nga faktorët e tjerë të cilët janë të involvuar në gjithë këto procese dhe kanë qenë edhe me herët në forma të ndryshme”
“Një involvim më i drejtpërdrejt i presidentit për të ushtruar trysni te këto forca politike që ta përshpejtojnë procesin është i justifikueshëm për të përshpejtuar procesin. Ka sens politik për të kërkuar edhe ndihmën e SHBA-së konkretisht ambasadorit Philip Kosnett me vërejtje konkrete ta përshpejtoj gjithë këtë proces me qëllim që të themelohet qeveria”, u shpreh Abdullahu për EO.
Abdullahu potencoi se nëse mundësia për presion nuk funksionon, duhet të mendohet për kombinime të tjera ose të shkohet në zgjedhje.
“Nëse kjo mundësi nuk ekziston dhe me fajin e këtyre forcave politike kjo mundësi po zvarritet pafundësisht atëherë duke shfrytëzuar zbrazëtit ligjore e kushtetuese atëherë duhet të mendohet për kombinime të tjera ose në rastin me të keq të shkohet në zgjedhje. Duhet një bashkëpunim i presidentit dhe deputetët, ambasadorin amerikan Kosnett të bëjnë trysni e të shtyjnë këtë proces përpara”.
Ndër të tjera, Abdullahu theksoi se besimi ndërmjet këtyre dy subjekteve politike po zvogëlohet derisa dyshimi po rritet.
“Këto dy parti politike që dolën fituese janë dy gjysma që do duhej ta bënin një tërësi funksionale, por ka paragjykime të mëdha mes njëra tjetrës. Ka mos besim të shtuar i cili nuk po zvogëlohet por vetëm po rritet. Dyshimi po rritet mbi këto dy forca. Është koha e fundit dhe urgjente që të bëhet çmos që të tejkalohet kjo bllokadë dhe të shkohet me tutje, çfarëdo zgjidhje tjetër është më e mirë se sa vonesat”, ka thënë Abdullahu për EO.