Analisti politik Faton Abdullahu, ka komentuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë.
Abdullahu tha për Klan Kosova se Qeveria Hoti vuan nga “mirëkuptimi i tepruar” në raport me Serbinë.
“Reciprociteti ndaj Serbisë nuk është kulturë politike e Qeverisë Hoti. Kjo Qeveri vuan dhe do të vuaj nga ‘mirëkuptimi i tepruar’ në raport me Serbinë. Kjo qasje me ‘mirëkuptim të tepruar’ ndaj Serbisë e ka bazën tek fakti se Qeveria Hoti është minore, mezi qëndron në këmbë me pak vota, me shumicën shqiptare jashtë saj dhe me ndikim të madh e regresiv të Listës Serbe”.
Ai theksoi se vendimi për të lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve nuk ka mundur të refuzohet plotësisht nga Qeveria e Kosovës.
“Prandaj aq me kollajllëk dhe pa bërë zë jep lejen për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Arsyetimi se kjo leje për zgjedhje serbe në Kosovë është dhënë edhe më parë nga qeveritë tjera dhe se nuk ka asgjë të re që sot të veprohet ndryshe nuk është as i saktë as i drejtë. Ky vendim i Qeverisë Hoti nëse nuk ka mundur të refuzohet plotësisht ka mundur të përfitohet ndonjë gjë në shkëmbim”.
Sipas tij është dashur që lejimi i zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë të përcillet me kërkesën që si shkëmbim të kërkohet ndihma e bashkëkombasve tanë në Luginë me mjek dhe ilaçe nga Kosova.
“Së pari ka një dallim të madh sepse më parë kur kjo leje është dhënë nuk ka pasur pandemi. Kjo ishte arsye shumë e qëndrueshme që leja të refuzohet apo së paku për shkëmbim të kërkohet reciprocitet ta zëmë për të ndihmuar bashkëkombasit tanë në Luginë me mjek dhe ilaçe nga Kosova. Por kjo qasje do kulturë politike të guximshme dhe shtetndërtim pa lëshuar pe aty ku nuk duhet e sidomos jo aty ku ofendohet dhe kërcënohet integriteti dhe sovraniteti i Kosovës, kjo i mungon Qeverisë Hoti”.