Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti për çështjen e presidentit, ka thënë se janë dakorduar që mos të takohen më, raporton Ekonomia Online.
“U dakorduam që mos të takohemi më”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se vendi duhet të jetë i përgatitur për zgjedhje të reja nëse nuk arrihet marrëveshje politike.
“Duhet të bëhemi gati për skenarin e zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme”.
Sipas tij, kryeministri Kurti insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet LVV-së.
“Në vijë me afatin e krijuar të Gjykatës Kushtetuese. Siç e dini, për 53 ditë të këtij afati kushtetues, kam treguar gatishmërinë në emrin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjetur zgjidhje për çështjen e presidentit dhe stabilitetin institucional. Me keqardhje them se këtë zgjidhje nuk kemi arritur ta gjejmë dhe nga ky moment e tutje i konsiderojmë bisedimet e mbyllura, pa zgjidhje konkrete për çështjen e presidentit. Duhet të jem falënderues për përpjekjen, por të jem edhe transparent me popullin e Kosovës për rrjedhën e këtyre bisedimeve”, tha ai.
“Ne kemi pasur dy propozime deri më tani: i pari ka qenë rreth pjesëmarrjes në qeveri, ku LDK-së i është ofruar pozita e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri; dhe propozimi i dytë ka qenë rreth zyrës së parlamentit. Por në të dy rastet, ka pasur insistim për të mbajtur pozitën e presidentit tek Lëvizja Vetëvendosje. Kjo ka qenë pikërisht arsyeja pse ka pasur bllokad parimore mbi gjykimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe ky propozim natyrisht se siç kemi thënë në vazhdimësi është i papranueshëm për LDK-në”, tha ai.
“Meqenëse insistimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe zotit Kurti ishte që të mbajë edhe pozitën e presidentit për Vetëvendosjen, me këtë diktat institucional LDK-ja nuk mund të kontribuojë më tutje. Nuk duam t’i marrim më kohë asnjë pale tjetër, as popullit të Kosovës. 53 ditë kemi bërë përpjekje, kanë mbetur edhe 7 ditë. LDK-ja efektivisht është jashtë procesit diskutues për çështjen e presidentit. Unë do të thërras kryesinë e partisë dhe më pas le të presim këto 7 ditë nëse palët e tjera, partitë e tjera bëjnë zgjidhje. Nëse jo, atëherë do të bëhemi gati për skenarin më të rëndë, më të keq, më të pakuptueshëm të zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme. Po e them edhe njëherë: që nga fillimi parimet e LDK-së kanë qenë të qarta. Presidenti i Kosovës nuk duhet të jetë zgjatim i qeverisë. Pra nuk mund të ketë një qeveri që ka një president të një partie, sepse kështu diktohen institucionet”, tha ai.
“Pra, heqja e kryetarit të Kuvendit nuk është që heq rolin institucional. Kuvendi i Kosovës operon me shumicë, siç i takon shumicës. Qeveria operon po ashtu me shumicë, siç i takon shumicës. Tani edhe presidenti t’i takojë 51%-shit, është më tepër sesa vullneti qytetar. U përpoqa, provova, nuk arrita fatkeqësisht. Tani kthehemi në LDK dhe do t’i kthehemi misionit të madh të bashkimit të shtëpisë sonë.”, tha ai.
“Jo, jo. Ai i dha këto propozime. Ishin propozimet e tij, por insistonte që pozita e presidentit t’i mbetej Vetëvendosjes. Jo, ne ishim në diskutim për çështjen e presidentit. Pra, unë refuzova të flas për çdo gjë tjetër pa trajtuar çështjen e presidentit, sepse problemi ishte presidenti, jo qeveria. Kosova ka qeveri, ka edhe Kuvend, por nuk ka president.”
“Me LDK-në, Vetëvendosja nuk ka diskutuar as edhe një emër, as edhe një emër përveç Glauk Konjufcës. Për Glauk Konjufcën ne kemi pasur qëndrim, jo për personin, por për shkak të pozicionit partiak që mban, që nuk mund të jetë president i Kosovës. Kjo ka qenë arsyeja pse shkuam në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, pra pse e humbëm afatin, na u shtuan edhe 44 ditë. Dhe jemi prapë në pozicionin e njëjtë si para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por unë u përpoqa, u përpoqa të gjejmë zgjidhje për presidentin e Kosovës. Unë nuk kam hapur diskutime të tjera. S’kam hapur diskutime as për ekzekutiv, as për kryetar kuvendi, sepse çështja është për presidentin. Momentin që kishim trajtuar çështjen e presidentit, do të mund të trajtonim edhe çështje të tjera. Dhe nuk kemi kërkuar asnjëherë asnjë pozicion për LDK-në, aq më pak për mua. Domethënë kemi pasur qëndrime parimore. Më pas, po të ishim pajtuar për propozime parimore, atëherë do të kishim hapur fazën e diskutimeve të tjera”, tha ai.
“Unë besoj që me kaq, në këto rrethana, në këto momente, LDK-ja nuk mund të bëjë më shumë. Në 50 e sa ditë nuk mund të bëjë më shumë. LDK-ja e lë të hapur diskutim për partitë e tjera. Janë 7 ditë kohë. 53 ditë nga 60 ditë kemi bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje. Besoj se kemi pasur kohë mjaftueshëm. 53 ditë janë mjaft. Nuk kemi dëgjuar asnjë propozim tjetër përveç propozimeve që i dhamë”, tha Abdixhiku.
