Adnan Januzaj zgjodhi të luante për Belgjikën disa vite më parë dhe në fakt nuk bëri as ndonjë krim dhe as gabim.
Është vendi ku lindi dhe ku u formua si njeri dhe futbollist. Përtej dëshirës së madhe të shqiptarëve anembanë botës për ta parë me fanellën kuqezi, por pse jo më pas edhe me atë të Kosovës, ai bëri një zgjedhje që iu duk më e arsyeshmja. Nuk ishte tradhti, sepse fundja në Belgjikë lindi.
Nuk do të bënte ndonjë mëkat edhe po të kishte zgjedhur Shqipërinë. Përkundrazi, do respektonte rrënjët e tij dhe gjakun e të parëve, siç kanë bërë dhjetëra shqiptarë nga Kosova, si Cana, Basha, Mavraj, Berisha, T.Xhaka, Abrashi, Kukeli dhe shumë të tjerë. Por nuk e bëri. Nuk ka asgjë të keqe nëse Januzaj thotë se ndihet belg, sepse e theksojmë: aty ka lindur. Fundja as ai dhe as familja e vet nuk e kanë mohuar ndonjëherë origjinën e tyre. Por kur dëgjon babanë e lojtarit, Abedinin, që të thotë se nuk ka pasur asnjë interesim apo ftesë nga Shqipëria, atëherë ndryshon puna.
Jo se FSHF-ja nuk bën gafa me talentet, përkundrazi. Zakonisht federata jonë dhe zyrtarët e saj janë kujtuar e fundit për ndonjë xhevahir që spikat në klubet europiane, ose janë treguar fodullë deri në papërgjegjshmëri me disa lojtarë që kanë qenë në dilemë dhe që më pas kanë lënë gjurmë në skuadrën tonë kombëtare. Sa për ilustrim, mjafton të kujtohet koha kur Mavrajt i kërkonin të kthente pasaportën, apo kohën kur zyrtarët e FSHF ishin gati të vinin bast se nuk kishte asnjë shans që T.Xhaka, Kukeli, Abrashi dhe Basha të luanin me Shqipërinë sepse ata më parë kishin luajtur me ekipet e moshave të Zvicrës.
Por ja që falë kulturës së punës së De Biazit dhe këmbënguljes së tij, të gjitha ata sot janë pjesë e kombëtares. Por le të kthehemi tek Abedin Januzaj, i cili thotë se nuk ka pasur ansjë ftesë nga Shqipëria. Gënjeshtër. Pooo, ftesa mund të të ketë ardhur me vonesë, por Januzaj duhet zbresë nga retë dhe të shpjegojë nëse po gënjen tani, apo po gënjen kur vite më parë deklaronte se “nuk e pranonte Dukën si negociator”?!
Januzaj, Abedini pra, paturpësisht dhe në mënyrë aspak “profesionel” nuk denjoi t’i përgjigjej trajnerit të asaj kohe, Xhani De Biazi. Ky i fundit i pat nisur një mesazh në tre gjuhë (anglisht, frëngjisht dhe shqip) që të mund të linte një takim. Abedini, nuk denjoi as t’i kthente përgjigje, paçka se ajo mund të kishte qenë edhe negative. Prandaj Abedin mbaj shënim: djali yt nuk bëri asnjë gabim që zgjodhi Belgjikën, por ti të paktën mos na shit patriotizëm duke sharë Shqipërinë. Jo këtë herë. E dimë të gjithë se çfarë ndodhi.
(Editorial i gazetës “Panorama Sport”)