Paga minimale në Kosovë vazhdon të jetë më e ulëta në rajon. Madje ajo është vlerësuar edhe si diskriminuese sidomos pas rritjeve që janë bërë në sektorin publik.
Një nismë për rritjen e pagës minimale e kishte marrë edhe ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Arban Abrashi, por e cila nuk u konkretizua asnjëherë.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se paga minimale është dashtë të trajtohet kohë më parë.
Abrashi thotë se për këtë çështje dhe përfundimin e të gjitha procedurat u bë shumë punë gjatë mandatit të tij si ministër i MMPS-së, pasi sipas tij atëherë u dakorduan për shumën e pagës minimale për të cilën ishin pajtuar sektori privat, sektori publik dhe përfaqësuesit e bizneseve.
“Paga minimale është dashtë të rritet ose më mirë të themi është dashtë të trajtohet kohë më parë. Gjatë mandatit sa kam qenë ministër ne kemi përfunduar të gjitha procedurat për rritjen e pagës minimale në Konsultim me Këshillin Ekonomiko-Social dhe kemi biseduar edhe me përfaqësues të bizneseve që janë jashtë Këshillit Ekonomiko-Social dhe jemi pajtuar me një shumë të cilën tash nuk po e përmendi, por që ka qenë një shumë me të cilën është pajtuar edhe sektori privat, sektori publik dhe përfaqësuesit e bizneseve dhe ka qenë shumë e cila mund të implementohet”, ka thënë Abrashi për Ekonomia Online.
Në këtë intervistë, Abrashi thotë se punëtorët kanë mbetur pa trajtim të duhur dhe pa vëmendjen e institucioneve të shtetit.
Ai thotë se barrën e përgjegjësisë për këtë çështje e ka kryeministri dhe ministria e Financave, të cilët duhet të japin dritën e gjelbër. Ai ka kërkuar nga koalicioni që të punojë më shumë për këtë kategori.
“Unë ndjejë keqardhje që kjo çështje nuk është trajtuar për gati dy vjet dhe një numër i madh i punëtorëve kanë mbetur pa u trajtuar dhe pa marrë vëmendjen e duhur të institucioneve të shtetit. Shpresoj që ministria e Punës dhe Mirëqenies dhe Sociale (MPMS) dhe ministria e Financave (MF) të reagojnë sa më shpejt dhe të gjejnë një zgjidhje optimale në mënyrë që të preket edhe ajo kategori. Kryeministri i vendit dhe ministria e Financave e mbajnë barrën sepse ata duhet të japin dritën e gjelbër dhe koalicioni duhet të punojë më shumë për këtë kategori”, ka thënë Abrashi për EO.
Ditë më parë, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se rritja e pagës minimale në vend është një nga veprimet e domosdoshme që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve tanë.
Ai ka kërkuar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, që menjëherë të riaktivizoj Këshillin Ekonomik Social, në mënyrë që të filloj diskutimi për pagën minimale në vend.