Amir Abrashi nuk po bëhet rehat me lëndimet e shpeshta që po e ndjekin.
Mesfushori shqiptar ishte ndër më të mirët në ndeshjet e muajit shtator për Kombëtaren e Shqipërisë në sfidat ndaj Hungarisë e Polonisë, derisa me San Marinon nuk luajti shkaku një shqetësimi.
Gjakovari ishte kthyer në Zvicër tek skuadra e tij Grasshoppers ku është edhe kapiten i këtij klubi të madh zviceran.
Pas 18 ditësh mesfushori i Grashoppersit ishte i gatshëm për ndeshjen e kampionatit ndaj Luganos.
Një kohë rekord rikthimi, ku kujtojmë edhe thënien e trajnerit të skuadrës ku aktivizohet shqiptari i cili tha se Abrashi ka mish shqiptari dhe shërohet më shpejt.
Kapiteni i Grashoppersit futet në fushën e lojës në minutën e 63-të dhe zhvillon një ndeshje të mirë.
Pas ndeshjes ai ka ndjerë përsëri shqetësime te kofsha e djathtë dhe ditën e djeshme pas ekzaminimeve mjekësore të bëra, në faqen zyrtare të klubit zviceran njoftohet se Abrashi ka një problem te fibrat e muskujve të kofshës të djathtë dhe do të mungojë deri në gjashtë javë.
Ky është një lajm shumë i keq për trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja i cili nuk mund të llogarisë në shërbimet e mesfushorit kryesor për dy sfidat e tetorit.