Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, mori pjesë në takimin e radhës të Komitetit Drejtues të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në takim pritet të hapet mundësia për aplikime për projekte të reja, për financim nga grantet e WBIF, duke përfshirë edhe projektet nga Kosova.
Ministri Abrashi falënderoi BE-në për përfshirjen e propozimeve të Kosovës në kuadër të Planit për Ekonomi dhe Investime të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për faktin se projekti i parë në Plan është pikërisht “Autostrada e Paqes”.
Po ashtu, mirëpritet fakti që përkrahja me grante investuese për projektet e transportit do të rritet deri me 40% në rundet e ardhshme të WBIF.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë shumë seriozisht mundësitë që Plani i BE-së u ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor për të bashkëpunuar dhe integruar ekonomitë e rajonit”, tha Abrashi.
Për këtë qëllim, për të qenë në gjendje të përfitojmë plotësisht nga Plani, është zhvilluar plani për investime për periudhën 2021-2025, i cili përfshin projekte të propozuara për tu financuar nga burime të ndryshme të fondeve, duke përfshirë burimet IPA III dhe WBIF.
Po ashtu, janë duke u përditësuar aplikacionet për Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore për të mundësuar përfitimin në rundet e ardhshme të WBIF për të gjithë sektorët infrastrukturorë.
Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë është duke forcuar planifikimin e ardhshëm dhe synon të paraqes një vizion dhe objektiva afatgjatë për zhvillim për dekadën e ardhshme, të harmonizuara me marrëveshjen e gjelbër të BE-së, agjendën evropiane dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Duke qenë se përkrahja nga BE për Kosovën është nga më të mëdhatë për kokë banori në botë, Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh IPA III dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së si një “shtyllë” të rritjes ekonomike të vendit.