Abrashi: PDK-ja nuk e ka braktisur vrasjen si mjet ndaj kundërshtarëve

Prishtinë | 30 Gus 2023 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës se “nuk e ka braktisur vrasjen si mjet ndaj kundërshtarëve të vet”.

Në një reagim pas shkrimit të ushtruesit të detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, se “më parë do ta vriste kryeministrin Albin Kurti sesa që do t’ia lëshonte rrugën e të ikte nga Kosova”, Abrashi ka thënë se Klinaku është “mbështetës i hapur i PDK-së”.

“Faton Klinaku ka qenë çdoherë konsistent. Vazhdimisht ka deklaruar dhe deklaron mbështetjen e tij të hapur ndaj PDK-së. Përherë ka vepruar dhe vepron në koordinim të hapur me agjendën politike të PDK-së. OVL në krye me të ishte dhe është instrument politik i PDK-së. Faton Klinaku është ndërgjegjja e kulluar e PDK-së, instinkti i saj pa mbulesën e gjuhës së matur. Pse ndër mijëra fjalë për të ilustruar një mendim, ai zgjedhi pikërisht fjalën vrasje? Kjo fletë shumë. Është dëshmia e qartë se PDK në regjistrin e saj të metodave ende nuk e ka braktisur vrasjen si mjet ndaj kundërshtarëve të vet”, ka shkruar Abrashi në Facebook.

Koha ka provuar që për këtë postim të Abrashit të marrë një qëndrim nga ana e PDK-së por zyrtarë të saj ende nuk janë përgjigjur. Posa ata të kthejnë përgjigje teksti do të përditësohet.

Për postimin e së martës, Klinaku është intervistuar nga Policia e Kosovës. Avokati i tij ka thënë se shkrimi në Facebook është “nxjerrë nga konteksti”.

Të ngjashme