Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi ka folur për 100-ditshin në krye të këtij dikasteri, në një konferencë për medie, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se për këto ditë, janë kryer shumë punë, duke i përmendur zotimet që janë nënshkruar në Washington.
“Një prej arritjeve janë projektet në ShBA por projektet që po shtyhen do të mbështeten nga BE. Projekti i parë që ka marrë vëmendjen ka të bëjë Besi-Merdare, i cili ka kosto deri 250 milionë euro”.
“Hekurudha deri nga Prishtina deri në Adriatik, por fillimisht jemi duke bërë fizibilitetin për në Ballkan e më pastaj deri në Evropë. Në fund të kësaj jave zyrtarë të DFI do jenë në Prishtinë”.
“Projekt tjetër është stacioni multi-modal, që shërben si port për udhëtarë dhe mallra. Projekt tjetër është një pjesë tjetër e autostradës nga Lipjani në qafë të Banullës sepse pjesa e autostradës në Fushë-Kosovë nuk do t’i përballojë fluksin e veturave”.
“Projekt tjetër ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, është projekti i Brezovicës që ideja themelore e jona është të investojmë në infrastrukturë”, tha Abrashi.
Sfidë për këtë dikaster mbetet shpronësimi i tokave, ku pezull kanë lënë mbi 300 projekte.
“Te punët e tjera kemi vazhduar në kryerjen e punëve të shtëpisë ku kemi gjetur mbi 300 projekte me puna shtesë, e që kanë mbetur me vite”.
“Kemi krijuar një task-forcë në mënyrë që t’i analizojmë dhe t’i japim zgjidhje. Procesi i shpronësimit është një tjetër sfidë sepse kanë mbetur disa projekte që i kanë mjetet e të gjitha”, tha Abrashi.
Teksa ka folur për 100-ditëshin e tij, Abrashi ka thënë se prioritet i kanë dhënë Aviacionit Civil, ku synohet të ulet taksa në aeroportin e Prishtinës, raporton EO.
“Prioritet tjetër i kemi dhënë Aviacionit Civil, ku kemi emëruar drejtorin e shumë shpejt do të formohet edhe bordi. Nga marrja e detyrës këtij sektori kam kërkuar ti jepet prioritet”.
“Njëri prej saj është ulja e taksave në aeroportin sepse e bën më konkurrent aeroportin në Ballkan. Është mirëpritur nga shumë kompani botërore dhe kemi vendosur kontakte me ta. Kemi shikuar dhe më tutje për ta kontrolluar rrugë ajrore”.
Abrashi ka përmendur edhe bashkëpunimin që kanë nënshkruar me MPB-në, ku policia do t’i monitorojë testimet në marrjen e patentë-shoferit.