Abrashi prezantoi projektet e investimeve dhe masivizimin e sportit 

Prishtinë | 05 Tet 2017 | 18:48 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me qëllim që të nxiten të rinjtë që të merren sa më shumë me sport, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka prezantuar planin e tij për investime në infrastrukturë sportive me qëllim të masivizimit të sportit shkollor tek moshat e reja në përgjithësi.

“Sporti është shumë i rëndësishëm për shëndetin, qytetarin, komunën. Për këtë arsye, programi ynë në këtë fushë është shumë serioz, por edhe i realizueshëm. Programi ynë për sportin parasheh përkrahjen e sportistëve dhe klubeve në pajtueshmëri me kriteret e BE-së, UEFA-s e FIFA-s. Do të investojmë në masovizimin e sportit shkollor si dhe në rritjen e aseteve profesionale në sport. Do të punojmë në përmirësimin e infrastrukturës. Kjo do të bëhet edhe në bashkëpunim të ngushtë me nivelin qendror, duke filluar nga ndërtimi i stadiumit nacional ‘Dardania Arena’ dhe projektet tjera”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se programi i tij parasheh kthimin e Pallatit të Rinisë në pronë komunale, aktivizimin e  sallës së madhe, renovimin e objekteve sportive sipas standardeve të kërkuara, intervenimi në stadiumet e klubeve “Flamurtari”, “Ramiz Sadiku”, “Besëlidhja”, “Hajvalia” e të tjera.

“Do të bëjmë ndërtimin e terreneve sportive në secilën lagje dhe një sallë të vogël me kapacitet deri në 300 shikues do të destinohet për disa nga disiplinat sportive, mandej do të ndërtohet shtegu i atletikës dhe pishina olimpike”, pohoi Abrashi, përcjell EkonomiaOnline.

Ai tha se shtylla e dytë e programit për sport është masovizimi i sportit ose sporti për të gjithë. Liga e kryeqytetit për sportin shkollor, forcimi i autonomisë së klubeve dhe rregullimi i marrëdhënieve të ndryshme, po ashtu janë paraqitur si pika të rëndësishme të programit për sportin kryeqytetas.

Abrashi ka premtuar se dera e zyrës së tij do të jetë e hapur për sportistët e Prishtinës.

Mehmet Bogujevci, Besim Hasani, Vjollca Krasniqi, Nebih Zariqi e personalitete tjera sportive kanë marrë pjesë në takimin e kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashit. Ish-ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka përkujtuar për punët e mëdha që ishin kryer në kohën kur Prishtina udhëhiqej nga LDK-ja, ndër të cilat fushat sportive në shumë fshatra, shtegu në Gërmi e të tjera.

 

Të ngjashme