Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, e ka quajtur të papranueshme gjendjen në të cilën është lënë pjesa e Prishtinës së vjetër, prandaj ka premtuar se në fillim të mandatit të tij, do t’i zgjidhë problemet elementare në infrastrukturë dhe do të vazhdojë me fasadimin, respektivisht restaurimin e objekteve, gjithmonë duke i ruajtur vlerat trashëgimore.
“Kemi vizituar Qendrën e vjetër tregtare, duke dëgjuar kërkesat e banorëve në këtë zonë dhe ne shpalosëm edhe idetë tona. Projektet janë përpiluar nga kandidatët për asamble të kësaj zone dhe ato kanë të bëjnë më së shumti me investime publike dhe infrastrukturë, për këtë qendër dhe zonën përreth. Ne premtuam se në fillim të mandatit do të fasadojmë këtë zonë dhe do të bëjmë një ristrukturim më të thellë, duke krijuar parakushte për zhvillim të bizneseve”, tha Abrashi, përcjell EkonomiaOnline.
Ai pohoi se gjatë bashkëbisedimit me banorë ka pranuar ankesa prej më themelore, që ndërlidhen me papastërti, mungesë ndriçimi etj. “Në mungesë të ndriçimit kjo zonë është bërë një strehim i narkomanëve, prandaj do ta rigjenerojmë gjithë zonën me investime publike dhe do t’ia kthejmë namin e vjetër që e ka pas kjo pjesë e rëndësishme e qytetit”, shtoi Abrashi.
Ai ka pranuar ankesa nga bizneset se në mungesë të investimeve publike, vështirësive në qasje, ata kanë humbur klientët dhe janë detyruar që të shkurtojnë vendet e reja të punës.