Abrashi shpjegon pse nuk ka para për pensionet e veteranëve

Prishtinë | 30 Sht 2016 | 12:47 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka informuar kabinetin qeveritar lidhur me mungesën e mjeteve te kategoria e pensioneve për veteranët e luftës.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është në konsultime të vazhdueshme ditore me Ministrinë e Financave për gjetjen e këtyre mjeteve. Po flasim për mjete financiare vetëm për pagesën e muajit shtator, një minus prej 1.6 milionë euro, të cilat jemi duke i kërkuar, por gjithashtu jemi në konsultime edhe për mjetet financiare për tre mujorin e fundit me një faturë prej rreth 5 milionë euro në muaj. Besoj që shumë shpejt do të reagojmë për pagesën e këtij muaji, mungesën e fondit apo pagesave të pensioneve për muajin shtator, do të punojmë edhe për tre mujorin tjetër për gjetjen e mjeteve shtesë.

Çështja e dytë që është ngritur në opinion ka të bëjë me pagesat e dyfishta të pensioneve. Ne kemi një rekomandim të Auditorit që të bëhen ndalesa për këto pensione. Mendojmë që ka paqartësi ligjore rreth kësaj çështje, por është dashtë të veprojë administrata shkaku i rekomandimit të prerë të Auditorit, por besojmë që gjatë javëve në vijim ne do të sjellim projektligj për skemat e pensioneve të ndryshme të financuara nga shteti ku do të definojmë edhe më qartë tek pensionet familjare dhe pensionet invalidore sepse është prekur një numër i madh i familjeve të dëshmorëve të luftës, ku është ndërprerë njëra prej pensioneve. Prandaj, ne duhet të qartësojmë me propozimin e ri të cilin shumë shpejt do ta sjellim në Kuvend”, tha ministri Abrashi.

Kryeministri Isa Mustafa, lidhur me këtë çështje tha se Qeveria është në një gjendje mjaft të pakëndshme dhe të rëndë në dy aspekte.

“Njëri aspekt është problemi financiar, që ne nuk mund të veprojmë me llogari të hapur dhe të pakufizuar, sepse atëherë nuk menaxhojmë me buxhet, në qoftë se ne nuk mund të parashohim dhe të përballojmë këto shpenzime. Problemi i dytë është kriteri që para nesh po e vë Fondi Monetar Ndërkombëtar lidhur me programin e FMN-së, që kërkon që domosdoshmërisht të marrim masa në këtë fushë dhe ta gjejmë një zgjidhje, e cila siguron që buxheti të jetë stabil dhe të mos rrezikohet qëndrueshmëria buxhetore. Për këtë të dytën ne do të vazhdojmë të bisedojmë edhe me Kuvendin dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës që të gjejmë zgjidhje, sepse po qe se nuk gjejmë zgjidhje, ne do të rrezikojmë të gjitha marrëveshjet që i kemi me FMN-në, do të rrezikojmë kreditë ndërkombëtare të cilat i kemi, edhe marrëveshjet që i kemi lidh deri tani me BERZH-in dhe me Bankën Evropiane për Investime, por edhe mjetet tjera, të cilat i marrim nga institucionet e Bashkimit Evropian, që janë të ndërlidhura me Fondin, sikurse edhe me fondet që i kemi planifikuar nga marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për MCC-në, përkatësisht për Korporatën e Sfidave të Mileniumit. T gjitha këto lidhen me disiplinën financiare edhe me përmbajtjen e kushteve që Fondi Monetar Ndërkombëtar i shtron tek ne. Ajo që ne duhet të procedojmë është që të bëjmë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit, në mënyrë që ne të kufizojmë mjetet të cilat, sipas propozimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, mund t’i përballojmë si buxhet, sepse në qoftë se sivjet na rrëshqasin mjetet nga 24 milionë në 40 milionë ose në 50, atëherë shtrohet pyetja çka do të kemi, cilën faturë do ta kemi vitin e ardhshëm?’.

“Dhe e dyta, ne nuk mund të paguajmë mjete për individë të cilët kanë hy në listë aty, por të cilët nuk i kanë meritat, sepse ndryshe do të hyjmë edhe në veprimtari korruptive, sepse do të paguajmë mjete për ata të cilët nuk meritojnë para publike. Kjo që ka ndodhur është punë tjetër, por ne duhet të bëjmë përpjekje që këtë muaj ta përmbyllim, në mënyrë që të mos mbesin, sepse në radhët e tyre ka shumë që e meritojnë. Ne kur kemi biseduar, Komisioni na ka garantuar që ai numër do të sillet rreth 12 mijë vetë të cilët do të marrin pensione. Tash prej 12 mijë është rrit në 30 mijë, nga 30 mijë kalon në 40 mijë, dhe ne mjete është vështirë të sigurojmë, të paguajmë për gjërat për të cilat ne nuk jemi të sigurt. Me qenë ne të sigurt që i kemi 40 mijë veteranë dhe që vërtetë kanë qenë veteranë dhe e kanë statusin e veteranëve, atëherë atë s’mund ta mohoj askush, mirëpo në këtë rast është mjaft problematike. Ne e kemi Misionin e Fondit Monetar këtu, dhe duhet të mundohemi të harmonizojmë qëndrimet. Unë mendoj se duhet ta kemi përkrahjen edhe të Organizatës së Veteranëve, në mënyrë që të sigurojmë që të gjithë ata që janë vërtetë veteranë të marrin pensionet që ju takojnë, mirëpo ata që s’janë, atëherë askush nuk ka të drejtë as morale as ligjore që të kërkojë që të paguhen njerëzit për shkak të lidhjeve familjarëve, lidhjeve tjera, dhe të lëshimeve të cilat janë bërë në përcaktimin e listave të veteranëve”, tha kryeministri Mustafa.

LEXO EDHE: 

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/politike/qeveria-ndryshon-ligjin-per-lirine-fetare/

Të ngjashme