Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, tha se do të subvencionohen kompanitë e transportit rrugor brenda vendit, ndërsa për linjat ndërkombëtare ende nuk ka ndonjë vendim, raporton Ekonomia Online.
Abrashi në një koneferencë për medie, së bashku me Shoqatën e Transportit Rrugor tha pandemia ka ndikuar dukshëm te kompanitë që kanë bërë transportin e udhëtarëve.
“Në kuadër mundësive buxhetore të vitit 2020 që kemi pasur ne kemi bërë disa lirime të pagesave”, tha Abrashi.
Tutje, ai tha që kanë hartuar një kornizë e cila do ndihmojë këto kompani për lirimin e pagesave gjatë rrugëtimit të tyre.
“Nesër do kemi një marrëveshje mbi parimet dhe më pas takime tjera”, tha ai.
Abrashi tha që po flasim për mbi 400 kompani që operojnë me veprimtarinë e tyre dhe kanë lidhje ndërurbane.
Kryetari i Shoqatës së Transportit të udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj tha që kanë qenë partner bashkë me qeverinë dhe sipas tij është e domosdoshme që këto kompani të kenë ndihmesa.
“Është me patjetër që këto kompani të ndihmohen dhe të arrijnë të mbijetojnë”, tha Kurtishaj.
Tutje ai tha se brenda javës tjetër do mirren këto kritere.
Të pyetur lidhur me përcaktimin e kilometrave të transportit edhe për linjët jashtë vendit, Abrashi tha që kilometrat e kaluar nga kompanitë e kanë bërë që të subvencionohen të gjitha kompanitë apo operatorë të cilat janë të licensuar në të gjithë qytetet e Kosovës.
“Janë përmendur edhe linjat rajonale dhe ndërkombëtare, që me qenë të drejtpërdrejta, por do shohim më tutje se çfarë do bëhet me ato jashtë vendit”, tha Abrashi.
Ndërsa, Kurtishaj tha se Kosova ka nevojë për zhvillimin e turizmit dhe duhet të punohet mbi bazën e profesionalizmit dhe jo partiake.