Liderët institucionalë janë alarmuar pas marrjes së letrës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku njoftohen me pasojat që i presin nëse e mbajnë në fuqi taksën ndaj mallrave të Serbisë.
Por me gjithë këtë qëndrim, tre udhëheqësit e shtetit kanë mbetur në pozicione të njëjta, shkruan sot Koha Ditore.
Kryeparlamentari Kadri Veseli ia ka kërkuar kryeministrit Ramush Haradinaj edhe të mërkurën pezullimin e taksës.
Por Haradinaj nuk ka dhënë sinjale se do ta pezullojë vendimin, sipas propozimit të Veselit për 120 ditë. Aktiv të enjten ka qenë edhe ambasadori amerikan Philip Kosnett, i cili është takuar me presidentin Hashim Thaçi.
Të dy kanë kërkuar që taksa të pezullohet, për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thirrur në takim të përbashkët kryeministrin Haradinaj dhe Delegacionin shtetëror në dialog, ku janë diskutuar dy çështje – Platforma e dialogut dhe letra e SHBA-së. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura. Për ato që janë diskutuar është deklaruar bashkëkryesuesi i dialogut, Shpend Ahmeti – opozitari i vetëm që u bë pjesë e Delegacionit për negociata me Serbinë. Sipas Ahmetit, i cili të mërkurën ua ka prezantuar draft-platformën liderëve të tjerë, nuk ka ndryshim qëndrimi rreth taksës.