Adelina Ismaili, këngëtarja e cila ka thyer rregullat atëherë kur gjithçka ishte e ndaluar, vjen kësaj radhe në një intervistë për Telegrafin për të folur rreth më të rejave në karrierën dhe jetën e saj.
Pas disa vitesh mungesë në skenën shqiptare, Adelina shënoi rikthimin me një projekt të ri muzikor, të titulluar “T’iqja”.
Një këngë rebele e shoqëruar me një klip interesant, bëri që e gjithë vëmendja aktuale mediatike të pasohet nga diva, e cila në projektin e saj të fundit sfidon realitetin, duke treguar të vërtetën, ashtu siç ka bërë në çdo këngë të sajën ndër vite.
E pyetur rreth personazhit apo tematikës së këngës, këngëtarja kishte një përgjigje mjaft interesante.
“Pse jo T’iqja? Ballkani është vendi i vetëm në botë ku gjen femra të papuna që kanë miliona euro. Si shpjegohet kjo? Mua nuk më pengojnë “T’iqet”, madje i kam simpatike në idiotësinë e tyre”, tha Adelina.
“Unë i këndoj dhembjes së atyre grave që lindin dhe edukojnë fëmijë, punojnë deri në tetë orë në ditë, bëjnë mëngjesin, drekën, darkën, presin e përcjellin mysafirë, janë gjithmonë të buzëqeshura dhe fitojnë 250€ në muaj. Unë vetëm pyes: Çka punon “T’iqja”? (Qesh)”, shtoi ajo.
Theksojmë se tekstin e këngës e ka shkruar vet këngëtarja ndërsa instrumentalin Florent Boshnjaku.