Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj ka reaguar lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke paralajmëruar se situata aktuale mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja brenda pak më shumë se një viti.
Në një postim, ai ka vlerësuar se procesi ka hyrë në një ngërç serioz politik.
“Çështja e zgjedhjes presidentit po bëhet problem serioz, i cili, brenda pak më shumë se një viti, mund të na dërgojë në zgjedhje të reja. Çka është shumë, është shumë. Madje e tepruar dhe e stërtepruar. Partitë janë barrikaduar, ato e përkrahin zgjedhjen e presidentit, vetëm nëse ai propozohet nga partia e tyre. Pra, partitë janë larg çfarëdo konsensusi,” ka shkruar Salihaj.
Ai është ndalur te emrat që po përmenden si të mundshëm për president, duke theksuar se, sipas tij, presidentja aktuale Vjosa Osmani nuk është më kandidate e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje–Guxo, ndërsa ka përjashtuar si opsion edhe një kandidat nga familja Jashari.
Salihaj ka përmendur dy emra që, sipas tij, janë përfolur gjatë ditës si kandidatë të mundshëm.
“Unë do të ndalem te dy emra që u përmendën sot, si të mundshëm, për kandidatë për president të Kosovës: Rexhep Qosja dhe Shqiptar Demaçi. Unë u kërkoj falje që më parë, nëse këta dy emra janë vetëm pjesë e spekulimeve mediatike,” ka theksuar ai.
Duke folur për akademikun Rexhep Qosja, Salihaj ka ngritur shqetësime për qëndrimet e tij të mëhershme politike.
“Rexhep Qosja është shumë i afërt me Vetëvendosjen, veçanërisht me Kurtin. Por, Rexhep Qosja njësoj ka qenë i afërt me Hashim Thaçin dhe PDK-në. Megjithatë, nuk është këtu problemi kryesor, por diku tjetër,” ka shkruar ai.
Sipas Salihajt, Qosja ka mbështetur në të kaluarën idenë e ndarjes së Kosovës.
“Qosja që moti, më sa mbaj mend unë, ndoshta ka qenë i vetmi që është deklaruar në favor të ndarjes së Kosovës. Më vonë, kur Thaçi lobonte për korrigjimin e kufirit (ndarjen e Kosovës), Qosja e përkrahte me vendosmëri këtë projekt të rrezikshëm të Thaçit, pas të cilit, siç dihet, qëndrojnë Rama dhe Vuçiqi,” ka deklaruar ai, duke iu referuar ish-presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vučić.
Ai ka shtuar se, sipas tij, në rast se Qosja do të zgjidhej president, qëndrimet e tij do të përbënin rrezik për vendin.
“Por, në situatën kur do të ishte president i Kosovës, ai, me qëndrimet e tij, bëhet shumë i rrezikshëm për shtetin tonë. Nuk e di çka e lidh Kurtin kaqë shumë me Qosjen, por e këshilloj që ta mbajë atë sa më larg mundësisë që të jetë kandidat për president të Kosovës,” ka shkruar Salihaj.
Sa i përket emrit të Shqiptar Demaçi, ai ka thënë se nuk e njeh mjaftueshëm, por ka theksuar afërsinë e tij me Partia Demokratike e Kosovës.
“Sa i përket Shqiptar Demaçit, unë nuk e njoh sa duhet dhe nuk i di pikëpamjet dhe aftësitë e tij politike, por e di se nuk është jopartiak, sepse ka afërsi me PDK-në dhe ka qenë në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë. Pra, asnjëri nga këta dy emra nuk janë jopartiakë dhe jopolitikë,” ka shkruar ai.
Në fund, Salihaj ka paralajmëruar për pasojat e mungesës së një kandidati konsensual.
“Siç po shihet, tash për tash nuk kemi një kandidat të duhur dhe jemi para një krize serioze, që sërish të kthehemi në pikën zero, duke shkuar në zgjedhje të reja,” ka përfunduar ish-deputeti.