Ademaj dhe Haliti fitues të turneut “Lidhja e Prizrenit” në pingpong

Prishtinë | 19 Qer 2017 | 11:09 | Nga

Në Pallatin e Sporteve Sezai Surroi, në Prizren, me bashkorganizim të KP Lidhja e Prizrenit, FPPK-së dhe nën patronatin e Komunës së Prizrenit, u mbajt turneu tashmë tradicional për nder të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Morën pjesë rreth 80 pingpongistë dhe pingpongiste nga Kosova dhe nga Shqipëria.
Në konkurrrencën e femrave u paraqitën lojtaret më të mira nga Kosova dhe një lojtare nga Shqipëria, Anila Sallku.

Megjithë numrin jo të madh të pjesëmarrëseve, nuk munguan lojërat cilësore. Në gjysmëfinale u takuan, Linda Zeqiri me Iliriana Halitin dhe Nehare Janjeva/Era Janjeva. Takimi ndërmjet Halitit dhe Zeqirit, siç është pritur, ishte shumë cilësor dhe i fortë. Të dyja lojtaret treguan aftësitë e tyre duke shënuar pikë atraktive. Në fund, kësaj radhe me meritë fitorja i takoi Ilirianës, e cila ishte më shumë e motivuar dhe e përqendruar për fitore (3:1).

Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, Neharja ishte më e mirë se Era Janjeva dhe fitoi me rezultatin 3:0 në seta. Në ndeshjen finale, të dyja lojtaret zhvilluan lojë agresive dhe shumë të shpejtë me goditje të forta e precize duke kënaqur kështu pingpongdashësit e Prizrenit. Setin e parë e fitoi Iliriana. Në setin e dytë Iliriana vazhdoi të dominojë dhe fitoi me 11:5. Edhe seti i tretë ishte si dy të mëparshmit që vazhdoi me lojë të mirë të Ilirianës, e cila e fitoi setin me 11:7 dhe gjithë ndeshjen me 3:0, në seta.

Te meshkujt, ndeshjet ofruan më shumë rivalitet dhe cilësi. Befasuan për të mirë lojtarët vendas që katër prej tyre hynë në mesin e tetë më të mirëve. Ndeshja më atraktive u zhvillua ndërmjet Fati Karabaxhakut dhe Rrahman Ademajt. Fati luajti shumë mirë dhe arriti t fitojë një set dhe në momeente dukej sikur do të mund të befasonte Ademajn e favorizuar, por në fund e përfundoi ndeshjen me kokën lart dhe i kënaqur me lojn e bërë pavarësisht se rezultati përfundimtar ishte 3:1 në seta për kunddërshtarin.

Në gjysmëfinalen e parë u zhvillua një tjetër duel interesant ndëmjet lojtarëve të dy brezave të ndryshëm, atij në ikje Besart Domanikut dhe atij që po vjen, Kreshnik Mahmutit. Të dy lojtarët treguan lojë të bukur, dinamike me plot goditje atraktive. Te rezultati 2:1 në seta për Besartin Kreshniku po udhëhiqte 9:8 dhe shpresonte për ta barazuar rezultatin në sete, por Besarti u angazhua maksimalisht dhe ia doli që ta fitojë ndeshjen me 3:1 në seta.
Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, Rrahman Ademaj ishte më i mirë se Mentor Shabani dhe me meritë u rendit në finale.

Në finale, Besarti e fitoi setin e parë në diferencë 12:10 dhe dukej sikur do të zhvillohej një lojë e fortë që mund të kishte fitues Besartin, por vazhdimi i ndeshjes i takoi Ademajt, i cili e gjeti lojën e tij të zakonshme agresive dhe fitoi edhe një turne këtë vit duke iu afruar kështu kreut të renditjes së përgjithshme.

Më të mirët u shpërblyen me medale e Kupta, të cilat i shpërndanë z. Nehat Çitaku, kryetar i FPPK-së dhe z.Rifat Rifati, kryetar i KPP Lidhja e Prizrenit.

Rezultatet:
Gjysmëfinale-Femrat:
Iliriana Haliti Linda Zeqiri 3:1
Nehare Janjeva Era Janjeva 3:0
Finale:
Iliriana Haliti Nehare Janjeva 3:0

Gjysmëfinale –Meshkujt:
Rrahman Ademaj Mentor Shabani 3:0
Besart Domaniku Kreshnik Mahmutaj 3:1
Finale
Rrahman Ademaj Besart Domaniku 3:1.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme