Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka kërkuar nga institucionet shtetërore që sportistët të pajisen me pasaportë, pasi që dokumentacionet e shumta po bëjnë që futbollistët të kenë probleme ka thënë Ademi.
Ai tutje ka thënë se sportitët duhet të kenë procedurë të vecantë dhe shpreson që institucionet do të ndërmarin vendim të duhur.
Shkrimi i tij i plotë:
Pas përmbylljes së procesit të marrjes së nënshtetësisë dhe pasaportës së Kosovës nga ana e futbollistit Florent Muslija, i cili iu bashkua ekipit të sukseseve, presidenti Agim Ademi dhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, duke i parë vështirësisë procedurale të pajisjes me pasaportë të futbollistëve tanë (përkundër dëshirës dhe përkushtimit të njerëzve kompetent të organeve përkatëse) e paraqesin këtë kërkesë:
Kërkohet nga institucionet shtetërore kompetente – Presidenca, që ta zgjedhin rrugën dhe kohën më të shpejtë të mundshme për të dekretuar dhe për të pajisur me pasaportë sportistët tanë në përgjithësi, sepse procedura e tanishme dhe kërkesa e dokumentacioneve të shumta bënë që sportistët tanë të kenë probleme të natyrave të ndryshme, sidomos në shtetet evropiane ku ata jetojnë e veprojnë.
Prandaj, kërkojmë që për sportistët tanë të përdoret procedurë e veçantë, e cila do të mundësonte dekretimin dhe pajisjen e tyre me nënshtetësi dhe pasaportë në afatin më të shpejtë të mundshëm. Ky veprim do të mundësonte kompletimin e ekipeve tona sportive dhe do ta realizonte më shpejtë dëshirën e madhe të bashkatdhetarëve tonë që nëpërmjet sportit të japin kontributin për atdheun e tyre – Kosovën. Besojmë se kjo kërkesë e jona do të hasë në mirëkuptimin e plotë të institucioneve shtetërore dhe në të ardhmen sportistët tanë nuk do të hasin telashe të tilla procedurale për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës, ngase edhe koha e tyre për t’u marrë me çështje të tilla është e limituar, duke pasur parasysh faktin se janë pjesë të klubeve të mëdha evropiane.
Bashkë drejt sukseseve të reja!