Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur sjelljen e Qeverisë “të mbyllur, arrogante dhe të papërgjegjshme”, duke thënë se nuk ka pasur transparencë e as përfillje ndaj popullit për zhvillimet e bisedimeve me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
‘Sjellje e mbyllur, arrogante dhe papërgjegjshme e Qeverisë. Kaq pak transparencë e kaq pak përfillje ndaj popullit nuk ka pasur kurrë asnjë Qeveri”.
Tutje, Abdixhiku ka përmendur programin qeverisës së Kurtit, në të cilin flitet për bashkëpunimin me opozitën, por që sipas tij, Kurti ka bërë krejt të kundërtën.
“Gjatë dy javëve të fundit – kryesisht nëpërmjet deklarimeve jashtë rendit të ditës – Lidhja Demokratike e Kosovës ka provuar të kuptojë më shumë rreth procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Mungesa e raportimeve të rregullta të kryeministrit, para shkuarjeve në Bruksel e pas roundeve dialoguese atje, pjesë e një sjellj të mbyllur, arrogante e kryesisht të papërgjegjshme të Qeverisë. Ndonëse e normuar me rezolutë, sponzorizuesi i së cilës rezolutë gjendet në tjetër karrige sot, raportimi i kyreministrit në Kuvend na ndodhë sot, për herë të parë, besoni ose jo; dhe të vetme në dy vite udhëheqje të tij. Kaq pak transparencë e kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësuesve të popullit, pozitë e opozitë pa dallim, nuk ka mundur të tregojë askush asnjëherë”, ka thënë Abdixhiku.
“Tani, meqë jemi këtu është e rëndësishme të kujtojmë dy zhvillime thelbësore që lidhen me procesin e dialogut që nga ardhja e kryeministrit në pushtet. I pari është i brendshëm, dhe ka të bëjë me pritjet dhe veprimet e tij; i dyti ndërsa është i jashtëm, dhe ka të bëjë me pozicionin ndërkombëtar ndaj Kosovës, pozicion shpeshherë i ndikuar nga vetë veprimet e kryeministrit të Kosovës. Dhe tek zhvillimet e brendshme, nuk e kam fjalën për pjesën parimore të këtyre që udhëheqin sot; pjesë që u thye pa nisur ende mirë. Nuk e kam fjalën për kërkimfaljen para dialogut, reciprocitetin para bisedimeve, apo dhe prioritizimin fundor të vetë procesit të dialogut. Në tema shtetërore, ato mbesin krejtësisht të parëndësishme përtej cilësimeve kredibiliteti mbi natyrën e ndërtuesve të kauzave politike. Zero kredibilitet. Fjalën e kam për pozicionet zyrtare të institucioneve të Kosovës dhe mënyrën se si këto pozicione – dhe rrjedhimisht interesa shtetërore – janë dëmtuar në proces. Dhe sot në fjalimin e kryeministrit e kuptuam këtë dëmtim të rëndë në procesin dialogues”, tha ai.
Ai tutje ka thënë se janë vetëm dy rrugë sa i përket formimit të Asociacionit.
“I keni 2 rrugë, ose ta shbëni këtë marrëveshje ndërkombëtare, ose ta implementoni, tjerat janë lojra”.