Administratës Biden nuk iu tha për ditë të tëra se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ishte shtruar në spital, të paktën një zyrtar ka thënë kështu për mediat amerikane.
Austin, 70 vjeç, u pranua në Qendrën Mjekësore “Walter Reed” të hënën për shkak të komplikimeve pas operacionit.
Një zyrtar i tha partnerit amerikan të BBC-së, CBS se Shtëpia e Bardhë nuk ishte informuar për këtë deri të paktën të enjten në mëngjes.
Austin ka pranuar përgjegjësinë për mungesën e komunikimit.
“Unë e kuptoj se mund të kisha bërë një punë më të mirë duke siguruar që publiku të ishte i informuar siç duhet,” tha ai në një deklaratë, transmeton Klankosova.tv.
Sekretari i Mbrojtjes qëndron me pozitë pak më poshtë presidentit në zinxhirin komandues për ushtrinë amerikane.
Austin shtoi se ishte “e rëndësishme të thuhet: kjo ishte procedura ime mjekësore dhe unë marr përgjegjësinë e plotë për vendimet e mia në lidhje me zbulimin”.
“Jam shumë i lumtur që jam duke u përmirësuar dhe mezi pres të kthehem së shpejti në Pentagon”.
Ai mendohet se është ende në spital, por një zëdhënës i departamentit të mbrojtjes i cituar nga agjencia e lajmeve AFP tha se ai rifilloi detyrat e tij të plota të premten.
Nuk është e qartë se sa nga përgjegjësitë e tij, Austin ka mundur të kryejë për shkak të sëmundjes së tij, as shkallën në të cilën zëvendëssekretarja e Mbrojtjes Kathleen Hicks ndërhyri për të ndihmuar.