Puna e gjykatave dhe e prokurorive prej javës së ardhshme pritet të paralizohet.
Shkak do të bëhet vendimi i Sindikatës së Punëtorëve të Judikaturës për të hyrë në grevë. Ata kanë shprehur pakënaqësi rreth pagave të ulëta, shkruan sot Koha Ditore.
Po kërkojnë që krahas rritjes së fundit të pagave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, të ketë rritje edhe për administratën. Kërkesa e tyre është që të ketë rritje deri në 100%.
Sipas njohësve të çështjeve të drejtësisë, kjo situatë është pasojë e vendimit të fundit të kundërligjshëm të Qeverisë së Kosovës për rritje pagash për qeveritarët dhe të tjerave kategori, ku hyjnë gjyqtarët e prokurorët.
Vendimin për të hyrë në grevë, zyrtarë nga Qeveria nuk e kanë komentuar, por kanë thënë se rritje të pagave për këtë kategori do të ketë pasi të miratohet Ligji për pagat, duke lënë të nënkuptohet se nuk pritet të ketë rritje së shpejti.