Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19, në takimin e sotëm e ka vlerësuar gjendjen epidemiologjike në komunë dhe veprimet që do të ndërmerren konform vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për aplikimin e fazës së dytë për lehtësimin e mëtutjeshëm të qarkullimit dhe hapjen graduale të disa bizneseve.
Në takimin e sotëm, të cilin e udhëhoqi nënkryetari i kësaj komune, Nexhmi Rudari, u tha se aktualisht në Komunën e Podujevës nuk ka asnjë person të infektuar me koronavirus.
Ndërsa, kur bëhet fjalë për numrin e përgjithshëm të të infektuarve me këtë virus, të cilin e publikon Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, për Komunën e Podujevës gabimisht i referohet numrit 11 të personave të infektuar, sepse në komunën tonë kishte gjithsej 9 persona të infektuar me COVID-19.
Gjatë takimit u kërkua që inspektorati komunal dhe policia të përkujdesen për respektimin e vendimit dhe masave për lehtësimin e mëtutjeshëm të qarkullimit dhe hapjen graduale të disa bizneseve dhe operimit të mjeteve të transportit publik, i cili ka hyrë në fuqi sot.
Shqetësues u përmend fakti i mosrespektimit të rekomandimeve të IKSHP rreth pjesëmarrjes në ceremoni mortore, ku ditëve të fundit janë regjistruar raste të pranisë së një numri më të madh personash në ceremoni të varrimit.
Prandaj edhe me këtë rast apelohet te qytetarët që ceremonitë mortore të organizohen vetëm në praninë e personave të rrethit të ngushtë familjar, si dhe të mos organizohen pritje për ngushëllime
Në takimin e sotëm u vendos që administrata komunale nga 19 maji (e martë) të rifillojë punën sipas orarit të rregullt, prej orës 08:00 deri në orën 16:00.