Administrohen provat materiale në gjykimin për krime lufte ndaj Ekrem Bajroviq, i akuzuari mbrohet në heshtje

Prishtinë | 03 Kor 2024 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është bërë administrimi i provave materiale të propozuara nga ana e Prokurorisë, në rastin ku Ekrem Bajroviq po akuzohet për krime lufte. Bajroviq tha se në këtë fazë të procedurës dëshiron të mbrohet në heshtje.

“Nuk kam se çka të shtoj më tepër, përveç deklaratës që kam dhënë në Prokurori. Dua të mbrohem në heshtje, në këtë fazë të procedurës”, tha i akuzuari Bajroviq.

Në këtë rast, Prokuroria e ngarkon Ekrem Bajroviqin për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999, kundër popullsisë civile në Komunën e Istogut dhe fshatrave përreth, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori special Ilir Morina, kërkoi që të administrohen si prova materiale: dosja teknike, raporti i vendit të ngjarjes, foto-albumi, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, të gjitha të datës 27 tetor 2022.

Po ashtu kërkoi që të administrohen si prova materiale: raportet informuese të datës 16 janar 2023 dhe 18 maj 2023, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë i datës 22 mars 2022 dhe vërtetimi mbi tatim në pronë i 5 majit 2021.

Në këtë seancë, është konsideruar si e shikuar DVD-ja e vendit të ngjarjes.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajroviq, avokati Lubomir Pantoviq, nuk pati kundërshtime në lidhje me provat materiale të administruara.

Gjithashtu, prokurori Morina tha se dëshmitari i 19-të për shkak të një problemi teknik nuk ka figuruar në aktakuzë, andaj propozoi që të lexohet procesverbali i 21 nëntorit 2022, ku dëshmitari kishte dhënë dëshmi para Prokurorisë.

Këtë propozim, e aprovoi kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari, ndërsa avokati Pantoviq kishte vërejtje pasi që sipas tij shumica e procesverbaleve janë mbajtur pa prezencën e mbrojtjes.

Në anën tjetër, dëshmitari Daut Elshani propozoi që disa fotografi të familjarëve të tij të vrarë gjatë luftës të administrohen si prova materiale. Këtë popozim e aprovoi gjykatësi Bajraktari, ndërsa mbrojtja nuk pati kundërshtime.

Të ngjashme