Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është bërë administrimi i provave materiale në gjykimin ndaj Andi Pajazitit i akuzuar për vrasjen e ndodhur më 4 gusht 2023 në lokalin “Bon Vivant” në kryeqytet.
Fillimisht, në këtë seancë ishte planifikuar dëgjimi i dëshmitares R.B, por gjyqtari i rastit, Eroll Gashi, njoftoi se përmes një shënimi zyrtar nga Policia ishte informuar se ajo nuk gjendet në Kosovë dhe jeton jashtë shtetit.
Seanca ka vazhduar më pas me leximin e provave materiale nga shkresat e lëndës, ndërsa prokurorja Nebahate Salihu, ka elaboruar disa prej tyre.
Prokurorja Salihu ka elaboruar raportin e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe raportin analitik të video-incizimeve. Ndërsa, provat e tjera u konsideruan të lexuara.
Për shkak të numrit të madh të CD-ve, gjyqtari Gashi ka ndërprerë seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.
Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.