Një pjesë e ADN-së, që lidhet tani me pandeminë COVID-19, ka burimin nga neandertalët më se 60.000 vjet më parë, ka treguar të hënën një studim i ri.
Shkencëtarët nuk e dinë ende pse ky segment i veçantë rrit rrezikun për t’u sëmurë rëndë nga koronavirusi. Por, gjetjet e reja të cilat u postuan në internet të premten dhe që akoma nuk janë botuar, tregojnë se si disa të dhëna për shëndetin modern burojnë nga historia antike.
“Ky efekt ka ndodhur 60.000 vjet më parë dhe ende ka ndikim në ditët e sotme”, ka thënë Joshua Akey, një ekspert i gjenetikës në Universitetin Princeton, i cili nuk kishte marrë pjesë në studimin e ri.
Kjo pjesë e gjenomit që përfshin gjashtë gjene në kromozomin 3, ka pasur një rrugëtim të çuditshëm në historinë njerëzore, ka zbuluar studimi. Ky variant është në Bangladesh, ku 63 për qind e njerëzve mbajnë të paktën nga një kopje të tij. Në të gjithë Azinë e Jugut, pothuajse një e treta e njerëzve kanë trashëguar këtë segment gjenetik.
Megjithatë, në vende të tjera ky segment është shumë më pak i zakonshëm. Vetëm 8 për qind e evropianëve e kanë atë, përderisa në Azinë Lindore këtë segment e kanë vetëm 4 për qind e popullatës. E në Afrikë mungon plotësisht.
Roli i gjeneve
Akoma nuk është e qartë se cili model evolucionar e prodhoi këtë lidhje gjatë 60.000 viteve të fundit. “Kjo është pyetja për 10.000 dollarë”, ka thënë Hugo Zeberg, ekspert i gjenetikës në Institutin Karolinska në Suedi, i cili ishte një nga autorët e studimit të ri.
Një mundësi është që versioni neandertal është i dëmshëm dhe po bëhet më i rrallë për të gjithë. Gjithashtu, është e mundur që segmenti të përmirësojë shëndetin e njerëzve në Azinë e Jugut, mbase kjo po siguron një reagim të fortë imunitar ndaj viruseve në rajon.
“Duhet të theksohet se në këtë fazë, pretendimi është ende vetëm një spekulim”, ka thënë bashkautori i studimit, Svante Paabo, drejtori i Institutit Max Planck për Antropologji Evolucionare në Leipzig të Gjermanisë.
Studiuesit kanë filluar të kuptojnë se pse sëmundja COVID-19 bëhet më e rrezikshme për disa njerëz dhe për disa të tjerë jo.
Të moshuarit kanë më shumë gjasa të sëmuren nga koronavirusi sesa të rinjtë. Burrat janë më të rrezikuar se gratë. Këtu kemi të bëjmë edhe me barazinë shoqërore.