Adoleshenti ukrainas shpiku dronin që detekton fushat e minuara

Prishtinë | 25 Dhj 2022 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, një adoleshent nga ky vend vendosi të krijoj një dron përmes të cilit mund të zbulojë lokacionet në të cilat janë vendosur mina kundër këmbësorisë dhe mjeteve të rënda luftarake.

Bëhet fjalë për 17-vjeçarin Igor Klymenko, i cili së bashku me familjen u detyrua të largohet nga shtëpia e tyre në Kiev, kur filloi agresioni rus – që për objektiv në fillim kishte marrjen nën kontroll të kryeqytetit të Ukrainës.

Ata u strehuan brenda një bunkeri në të cilin filloi me prototipin e dronit, i cili detekton fushat e minuara dhe më pas ato koordinata ia dërgon ushtrisë ukrainase, e cila e ka më të lehtë pastrimin e tyre.

Duke marrë parasysh se pastrimi i fushave të minuara me metodën tradicionale është proces i ngadaltë dhe shpesh i kushton me jetë pjesëtarëve të ekipit të deminimit, droni do të luante rol të rëndësishëm në këtë aspekt.

Ukraina është vendi më i minuar në Evropë, kurse në tërë botën vlerësohet se gjenden 100 milionë mina në mbi 60 vende të ndryshme të botës nga të cilat çdo vit humbin jetën 7 mijë persona, kryesisht civilë.

Klymenko së fundmi ka fituar 100 mijë dollarë nga chegg.org, ku në këtë garë morën pjesë 7 mijë aplikantë nga 150 vende të ndryshme të botës.

Të ngjashme