Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e ka kritikuar LVV-në dhe qeverinë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penal ku përfshihet edhe gjykimi në mungesë për krimet e luftës, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se ky gjykim duhet të vlejë edhe për vepra të tjera penale.
“Gabimin që e ka bërë VV-ja në vitin 2019 po mundohet që ta përmirësoj sot, por ky është një gabim i radhës që po e bën sepse e kemi propozuar edhe në atë kohë ku ka kaluar në lexim të parë Kodi i Procedurës Penale, ku është gabim që të ndalemi dhe ta specifikojmë dhe të kufizohemi në gjykimin në mungesë vetëm në krimet e luftës. Pra gjykimi në mungesë duhet të vlejë edhe për veprat e tjera që për rendin tonë për sundimin e ligjit është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Tahiri.
Më tutje deputeti i PDK-së, deklaroi se me ndryshimet që janë propozuar sot nga ministria e Drejtësisë nuk mund të hetohet edhe vrasja e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.
“po ja rikujtoj kryeministrit Kurti që e tha më herrët që do të kërkojnë që policët që i kanë kryer krimet ndaj dy qytetarëve të Kosovës në vitin 1007 të gjykohen dhe të dënohen në mungesë. Po i them që me këtë propozim që e ka bërë ministrja e tij nuk mund të bëhet një gjë e tillë. Ose nuk jeni koordinuar ose nuk po dini se çfarë po propozoni”, tha ai.
Tahiri e akuzoi Haxhiun për mungesë të njohurive rreth procedurave dhe hetimeve që duhet bërë në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe gjykimin e të pandehurve për krime lufte.
“Afati për hetime të tilla është dhjetë vjet, me arrit me qenë efikas dhe me konfisku një pasuri të pajustifikueshme. Ti as nuk je tu lexu, e as nuk je tu pa. Por, dëgjoj njerëzit që i ki në Ministri të Drejtësisë, e ndoshta i mbanë në mend. Hetimet të tilla për dy vjet janë të pamjaftueshme”, tha ai.
Ndaj këtyre deklaratave të Tahirit, është kundërpërgjigjur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“S’po e di Abelard kur po e lexon fjalimin a më ke dëgjuar paraprakisht se çfarë kam thënë ose pavarësisht se çfarë kam thënë unë ti prapë qëndron prapa fjalimit që e ke shkruar. Shumë prej çështjeve që i adresove unë edhe i pata në fjalim, kështu që ke mundur me e shpenzu kohën për çështje të tjera”, ka thënë ajo.
Ministrja e Drejtësisë tha se para dy vitesh kanë bërë diçka për të u gjykuar kriminelët e luftës.
“Është një çështje që du me adresu sërish. Thatë ju që gabimin që e keni bërë para dy viteve po doni me rregullu tash. Kjo nuk qëndron. Të paktën ne para dy vitesh kemi bërë diçka që me u gjyku kriminelët e luftës. Ju që sa kohë keni qenë në pushtet nuk ju ka ra ndërmend me i hetu kriminelët e luftës”, ka thënë ai.
Më tutje Haxhiu i tha ish-ministrit të Drejtësisë, që ka qenë gabim i tij që nuk i ka sjell në të njëjtën kohë në Kuvend edhe Kodin Penal edhe atë të Procedurës Penale.
“As 2% e totalit buxhetor nuk është shpenzuar për organet e drejtësisë. Gabim i joti ka qenë në atë kohë që Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale nuk e ke sjell në të njëjtën kohë. Nuk ka asnjë logjikë që në Kuvend me ardh Kodi Penal dhe jo ai i Procedurës Penale”, ka thënë ajo.
Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se është shqetësues mos dakordimi ndërmjet ministres Albulena Haxhiu dhe kryeministrit Albin Kurti.
“Unë ju kuptoj ministre sepse jeni vetë me aktakuzë dhe më e keqja është se kryeministrin e vendit e kemi me aktgjykim dënues, sepse ne kriminalistike thuhet se çdo kush që bën vepër penale është kriminel, dhe kërkojmë qe ta sjell i me urgjence”, u shpreh ai.