Aeroporti “Adem Jashari”, ka dalë me një njoftim në lidhje me problemet që kosovarët të cilët udhëtojnë në Gjermani mund të kenë problem me valixhet.
Kjo pasi së fundmi shumë aeroporte të BE-së janë prekur nga grevat e punonjësve që po ndodhin atje.
“Siç kemi përjetuar disa ditë më parë, shumë valixhe mungonin dhe/ose vonoheshin nga aeroporte të ndryshme evropiane”, thuhet në njoftim.
“Dëshirojmë t’ju informojmë se një tjetër informacion u publikua sot nga Deutsche Lufthansa, se stafi tokësor i kësaj kompanie ka paralajmëruar grevë nga data 27 korrik 03:45 deri më 28 korrik, ora 06:00 “, vazhdon njoftimi.
Në njoftim thuhet se “kjo pritet të ndikojë në operimet e kompanisë Lufthansa në aeroporte të ndryshme në të gjithë vendin”.
“Gjatë kësaj kohe Lufthansa ka të parapara disa fluturime për në ANP ‘Adem Jashari’ LKIA: nga/për në Mynih, Duseldorf, Shtutgart, Frankfurt, dhe udhëtarët tanë që udhëtojnë me këtë linjë ajrore në datat e lartpërmendura mund të kenë anulime, vonesa të mëdha, apo edhe bagazh të humbur/vonuar”.
“Prandaj, lusim udhëtarët që udhëtojnë me Lufthansa, të jenë në kontakt me përfaqësuesit e kompanisë ajrore nëse ndodh ndonjë anulim/vonesë e fluturimit të tyre”, thuhet në njoftim.