Aeroporti i Vjenës do të ofrojë teste për Coronavirus për të evituar karantinën

Prishtinë | 03 Maj 2020 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Aeroporti i Vjenës do të ofrojë testime për koronavirus duke filluar nga dita e hënë, në mënyrë që t’ia mundësojë pasagjerëve që futen në Austri ta evitojnë karantinën 14 ditore, shkruan agjencia Reuters.

Pasagjerëve që vijnë në aeroport i është kërkuar ta paraqesin një certifikatë mjekësore që tregon rezultat negativ në testin për COVID-19 dhe testimi të mos jetë më i vjetër se katër ditë. Në të kundërtën, atyre iu duhet të futen në karantinë dyjavore.

Por, nga dita e hënë, pasagjerët mund t’i nënshtrohen testit për COVID-19 në aeroport, dhe të marrin rezultatet brenda dy deri tri orë, ka njoftuar aeroporti.

“Udhëtimi ajror, pavarësisht nëse është udhëtim biznesi apo urgjent, do të jetë në këtë mënyrë më i sigurt dhe i lehtë”, është thënë nga aeroporti të dielën.

Muajin e kaluar “Emirates”, në bashkëpunim me Autoritetin Shëndetësor të Dubait (DHA), ka bërë të ditur se është kompania e parë ajrore që po bën teste të pasagjerëve për COVID-19.

Testet në aeroport, që kushtojnë 190 euro, mund të bëhen edhe nga pasagjerët që largohen nga Vjena, për të dëshmuar se nuk janë të infektuar nga virusi kur të arrijnë në vendin e synuar. Aeroporti i Vjenës është duke operuar fluturime nga Doha, Dortmundi, Duesseldorfi, Frankfurti, Hamburgu, Lisbona, Minsku dhe Sofja, si dhe fluturime private dhe biznesi.

Ndalim aterrimi kanë fluturimet nga vendet e rrezikut të lartë.

Austria ka regjistruar mbi 15 mijë raste me koronavirus dhe rreth 600 të vdekur. Ky shtet ka nisur të zbusë masat shtatëjavore të kufizimit, duke hapur qendrat tregtare, shitoret e mëdha, si dhe sallonet e flokëve.

Të ngjashme