Aeroporti në ishullin portugez Madeira, nga sot mban emrin e futbollistit “Cristiano Ronaldo”, i cili ka lindur në atë ishull.
Përkundër kundërshtimeve të disa politikanëve lokalë, aeroporti në vendlindjen e Ronaldos mori emrin e tij, ndërsa në ceremoninë e riemërimit mori pjesë vet ylli portugez bashkë me nënën, djalin dhe të dashurën, Georgina Rodriguez.
Në mesin e të pranishmëve në ceremoninë në fjalë ishte edhe presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa, kryeministri Antonio Costa dhe zyrtarë të tjerë lokalë.
“Jam i lumtur dhe krenar”, tha Cristiano Ronaldo, i cili për kundërshtimet e politikanëve lokalë dhe disa organizatave joqeveritare tha se janë diçka e zakontë në demokraci.
“Të gjithë kanë të drejtë për mendim personal. Unë nuk kam kërkuar nga ndokush që të vendos emrin tim këtu. Nuk jam hipokrit. Jam i vetëdijshëm se nga sot kam më shumë përgjegjësi”, tha Ronaldo për të shtuar se është krenar që rrënjët i ka nga Madeira.
Presidenti i Portugalisë, De Sousa, nga ana e tij tha se Ronaldo është një personalitet të cilin e admiron e tërë bota, në mesin e të cilëve miliona portugezë.
Ai tha se të emërosh aeroportin sipas një 32 vjeçari është një veprim i rrezikshëm, por i guximshëm në të njëjëtën kohë.
“Ai është një sportist i madh dhe njeri, gjithmonë i lidhur me rrënjët. Ai gëzon besimin e Madeirës dhe Portugalisë”, tha ai, që më vonë bashkë me Ronaldon të shpalos pllakën me emrin e ri të aeroportit.
Nëna e futbollistit, Dolores Aveiro, tha se akti i sotëm është një nder i madh për familjen. Cristiano Ronaldo ka lindur në Funchal, që është kryeqyteti i Madeirës.
Ekonomia e ishullit varet kryesisht nga turizmi, ku Ronaldo ka investuar në projekte të ndryshme. Në këtë drejtim është hapur edhe muzeu i Cristiano Ronaldos. Ajo çfarë e bënë të dashur tek popullata lokale është ndihma e tij financiare për banorët gjatë zjarrit të madh i cili kaploi ishullin në vitin 2016.