Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është organizuar një ushtrim për raste emergjente, ku janë aktivizuar të gjitha agjencitë shtetërore të emergjencës, stafi i kompanisë “Limak”, sikurse dhe KFOR-i.
Objektivi ishte minimizimi i efekteve të emergjencës, shpëtimi i jetës dhe mbajtja e operimit të fluturimeve.
Sipas një njoftimi nga KFOR-i, ushtrimi u fokusua në simulimin e reagimit në rastin kur një avion me 90 vetë në bord del aksidentalisht jashtë pistës.
“Së bashku me kompaninë LIMAK, Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, KFOR-i zbarkoi asetet e veta mjekësore, tokësore dhe ajrore”.
“Ushtrimi kishte për qëllim verifikimin e gatishmërisë së forcave dhe ndërveprimin midis KFOR-it dhe agjencive vendore që bartin përgjegjësinë primare. Në të vërtetë, në pajtim me agjencitë lokale, KFOR-i është në gjendje të mbështesë çdo ndërhyrje në rast të ndonjë incidenti qoftë në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ose në pjesë të tjera të Kosovës”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Fotot: KFOR & Bujar Gashi