“Festat po vijnë, njerëzit vizitojnë dyqanet gjysmë bosh. Është torturë psikologjike”. Kështu e shpjegon Dushan Gashiq, një nga biznesmenët nga veriu i Kosovës se përse në protestën e 25 dhjetorit në veri të Mitrovicës është nisur një peticion, ku kërkohet shfuqizimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.
Qeveria e Kosovës këtë vendim e mori në mesin e korrikut për arsye “sigurie”, kur tre policë të Kosovës u arrestuan nga policia serbe.
Ndërkohë, policët janë liruar për t’u mbrojtur, por vendimi për ndalimin e importit të mallrave serbe ka mbetur në fuqi.
“Është koha që të anulohet dekreti i Qeverisë së Kosovës”, vlerëson Dushan Gashiq, ndërsa shton se nënshkrimet e biznesmenëve dhe qytetarëve do të mblidhen deri të premten, kur peticioni do t’u dorëzohet institucioneve kompetente të Kosovës, si dhe komunitetit ndërkombëtar.
“Jemi vënë në një situatë që nuk funksionojmë dot, nuk ka mall, raftet janë bosh. Është shumë e vështirë të jetosh në këto kushte”, thekson ky biznesmen.
Qeveria e Kosovës pa përgjigje
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse do t’i shqyrtojnë kërkesat e biznesmenëve serbë për anulimin e vendimit për import të mallrave nga Serbia, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka mori përgjigje.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i tha REL-it në gusht se kjo masë ndaj Serbisë “duhet të shfuqizohet”, por se pret gjithashtu që Bashkimi Evropian t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Prishtinës.
Kur u pyet përsëri nga REL-i në dhjetor, Rashiq komentoi shkurt se “asgjë nuk ka ndryshuar”.
Në fund të qershorit, Bashkimi Evropian (BE) prezantoi masa ndëshkuese për Kosovën për shkak se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.
Burimet diplomatike të REL-it në BE më pas thanë se anulimi i këtyre masave do të varet nga zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve që ka marrë Prishtina.
Importi i mallrave – “në të zezën”
Biznesmeni Dushan Gashiq thotë për Radion Evropa e Lirë se pronarët e dyqaneve “e gjejnë rrugën në çdo mënyrë të mundshme” për të importuar një sasi të caktuar mallrash nga Serbia dhe se janë “të detyruar” ta bëjnë atë “në të zezën”.
“Nuk i shkon askujt kjo situatë. Ato mallra konfiskohen, është një kaos total. Pse? Kjo për shkak se një vendim është në fuqi prej shtatë muajsh”, thotë ai.
Sipas tij, “nuk është normale” që konsumatorëve t’u mohohet mundësia për të blerë produkte që janë mësuar dhe i blejnë prej dekadash.
“Plazma (biskota) për shembull. Është një biskotë e zakonshme, nuk mund ta dëmtojë askënd. Po, prodhohet në Serbi, por atyre që nuk e pëlqejnë, le të mos e blejnë”, thotë Gashiq./REL