As në përpjekjen e 43-të, deputetët nuk e konstituan Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga regjia t’ua ndërpresë fjalën tre deputetëve: Ariana Musliu të PDK-së, Besian Mustafës të LDK-së dhe Time Kadrijajt të AKK-së.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi tha: “Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emër të përgjegjësisë ndaj qytetarëve që na kanë votuar, ju ftoj, i nderuar kryesues, që ta ushtroni detyrën tuaj pa anshmëri, me integritet…”.
Fjala iu ndal shpejt.
“Regjia le t’ia ndalë mikrofonin, ju lutem”, porositi Dehari.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, kërkoi kthim në kornizën kushtetuese.
“Kthehuni në kornizën kushtetuese. Ta tejkalojmë këtë shou, këtë cirk politik”, tha Mustafa.
Edhe atij, Dehari ia ndali fjalën me shpejtësi.
Ndërsa, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ironizoi sërish duke e propozuar Albin Kurtin për
anëtar të komisionit për votim të fshehtë.
Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta dhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 9 korrik.
Edhe më tej nuk ka pajtueshmëri midis Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe partive të tjera në anën tjetër, për formimin e një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët të konstituojnë Kuvendin brenda 30
ditësh po i afrohet fundit të këtij afati.
Duket se periudha vijuese do të jetë me paqartësi.
Haxhiu: Nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës, opozita po bllokon pa arsye
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas dështimit të radhës të seancës konstituive, reagoi edhe ndaj pretendimeve se mungon mocioni procedural për votimin e fshehtë, raporton Ekonomia Online.
“Thonë që duhet mocion procedural për mocion të fshehtë. Edhe kjo është e paqëndrueshme. Sepse Gjykata Kushtetuese ka thënë se nuk është e përcaktuar se a shkohet me votim të fshehtë apo të hapur.
Është seanca e 35-të kur kryesuesi propozon formimin e Komisionit dhe 35 herë deputetët e opozitës kanë ardhur në seancë dhe nuk e di pse kanë ardhur, duke qenë se as nuk kanë votuar për, as nuk kanë abstenuar dhe as nuk kanë votuar kundër”, tha ajo.
Haxhiu kritikoi gjithashtu sjelljen e opozitës në seancë, duke theksuar se në një seancë konstituive nuk lejohet debat, ndonëse disa deputetë kanë marrë fjalën vazhdimisht.
“E shohim në seancë disa herë dhe flasin. Në seancën konstituive nuk ka debat, nuk lejohet debati,” përfundoi Haxhiu.
Hasani: Të gjitha partitë përgjegjëse për bllokimin e konstituimit të Kuvendit
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani tha se përgjegjësia për moskonstituimin e Kuvendit bie mbi të gjitha partitë politike, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, mungon gatishmëria për të marrë hapin drejt një zgjidhjeje, ndërsa theksoi se partia fituese ka përgjegjësinë më të madhe.
“Asnjë s’është i gatshëm me marrë iniciativën për të bërë zgjidhje,” tha Hasani, duke shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në pritje të zbatimit.
“Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim dhe jemi duke pritur a do të ketë ndryshime apo jo. Krejt është përgjegjësi e kryetarëve të partive politike për gjetje të zgjidhjes.
Partia e parë ka përgjegjësinë më të madhe, partitë e tjera po ashtu në nivelin e përqindjes. Asnjë s’është i gatshëm të marrë iniciativën për zgjidhje”, tha Hasani.
Haziri: Marrëveshja politike kërkon mirëbesim, jo cinizëm
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri kritikoi gjuhën cinike dhe ironike në procesin politik, duke e quajtur atë faktor që ka rënduar situatën, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se marrëveshjet politike bëhen me mirëbesim dhe se përgjegjësinë për zhbllokimin e procesit e ka partia e parë.
“Kosova nuk ka fitues të mëdhenj, por fitues të parë që duhet të ulen dhe të bisedojnë,” u shpreh Haziri, duke shtuar se shpërndarja e Kuvendit ndodh vetëm kur dështon zgjedhja e Qeverisë, jo kur nuk konstituohet vetë Kuvendi.
Nuk ka të bëjë me ftesa të tilla cinizmi, ironia e kanë rënduar dhe e ka bërë më neverike ardhjen tonë çdo 48 orë. Përveç gomarëve dhe insistimit të Arian Kocit, cinizmi ka rënduar që t’i kthehemi normalitetit.
Marrëveshja politike bëhet me mirëbesim, Kosova nuk ka fitues të mëdhenj, por fitues të parë, që të ulet dhe të bisedojë me partitë politike. Shpërndarja e Kuvendit vjen kur dështon Kuvendi të zgjedhë Qeverinë e jo kur dështon të konstituojë vetveten, sepse është problem i partisë së parë”, tha Haziri.
Berisha: Të gjithë kandidatët e Vetëvendosjes janë të njëjtë, unë do ta votoja cilindo prej tyre
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, tha se personalisht do ta kishte votuar cilindo kandidat për kryetar të Kuvendit që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi, sipas tij, të gjithë janë të njëjtë, raporton Ekonomia Online.
“Ishte dashur, nëse ka vullnet që të dilet nga kjo situatë, ishte dashur. Ne po bisedojmë ngapak, po aty ka, për shembull, merake të ndryshme – jo unë e kisha votuar atë. Unë çka dalloj nga grupi, veç që mua më duken të njëjtë, nuk ke çka të zgjedhësh aty. Cilindo ta qesin, me Kushtetutë i takon, po qitja cili të jetë (votone kushdo që është), se të njëjtë janë”, tha Berisha.
Izmaku: Ka mungesë totale të vullnetit politik, rrezikohet mandati i deputetëve
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar se situata tashmë ka kaluar përtej aspektit juridik dhe procedural, dhe është bërë një çështje morale e mungesës së vullnetit politik nga liderët e partive, raporton Ekonomia Online.
“Ju e dini që takimet tona kanë qenë publike edhe tani, nëse ndodhin ose në të ardhmen, do të bëhen publike. Po duket që nuk është më as procedurale, as juridike, por është më shumë morale. Ka mungesë totale të vullnetit politik të lidershipit të krejt partive të mëdha politike për të gjetur një zgjidhje.
Nisma ka qenë dhe është që të krijohet një mazhorancë në tavolinë, pra të ndërtohet marrëveshje politike edhe të zgjidhen këto ngërçe politike”, tha ajo.
Paralajmëroi se meqë Gjykata Kushtetuese ka vendosur afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, në rast të mosrespektimit të këtij afati mund të rrezikohet mandati i deputetëve.