Afër 3 000 punonjës shëndetësorë janë vaksinuar kundër Covid-19, nga 30 marsi, kur filluar vaksinimi në sallën “1 Tetori”, raporton Ekonomia Online.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.
“Gjatë ditës së sotme deri në mesdite janë vaksinuar mbi 140 profesionistë në sallën ‘1 Tetori’ dhe qendrat e tjera. Në total po i afrohemi shifrës rreth 3 000 brenda këtyre ditëve. Gjatë kësaj kohe janë vaksinuar edhe një pjesë e shërbimit shëndetësor që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës, ndërsa presim që nesërm të vaksinohen edhe shërbimi shëndetësor që është në kuadër të kuadër të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se janë të kënaqur me gatishmërinë e mjekëve për t’u vaksinuar.
“Realisht kemi pasur pritje të tjera dhe shohim më shumë mantelbardhë që vijnë dhe të vaksinohen. Ju bëjmë thirrje që të vaksinohen për të krijuar një imunitet aktiv. I mirëkuptojmë ndonjëherë mungesat për shkak të ndonjë vikendi, mirëpo do të ishte shumë mirë që të shfrytëzohet kjo mundësi dhe të mos bëhet ndonjë lloj kalkulimi, sepse nuk dihet në cilën periudhë mund t’iu jepet mundësia e dytë”, tha ai.
Hoti ka treguar se që nga e marta do të fillojë edhe vaksinimi i punonjësve shëndetësorë të sektorit privat.
“Prej ditës së nesërme fillon edhe vaksinim i punëtorëve shëndetësorë të sektorit privat si dhe vaksinimi shtrihet në komunat e Kosovës, për aq kohë sa vaksinohen punonjësit shëndetësorë. Mirëpo kur vaksinohen më të moshuarit vazhdohet sipas planit të vaksinimit”, tha Hoti.