Rasti i njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, ndaj katër ish-ministrave në Qeverisë ‘Thaçi 2’, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, të mërkurën ka vazhduar me tensione në mes të mbrojtjes dhe ekspertit financiar, kurse i akuzuari Beqaj tha se po akuzohen në bazë të një dokumenti të rrejshëm.
Gjatë vazhdimit të elaborimit të ekspertizës financiare nga eksperti Agim Sheqiiri dhe marrjes në pyetje nga ana e mbrojtjes, i akuzuari Beqaj ka ndërhyrë duke e quajtur ekspertizën financiare me përmbajtje të rreme.
Na jena qe 7 vjet në një procedurë që bazohet në një dokument i cili është i rrejshëm, keni kujdes”, përsëriti dy herë këtë frazë i akuzuari Beqaj, pa lejen e trupit gjykues.
Madje, avokati i tij, Besnik Berisha e ka quajtur ekspertizën e Sheqirit si ekspertizë me përmbajtje fallco, e që sipas tij i është ndryshuar përmbajtja, duke iu referuar ekspertit se nuk e di nëse mund ta quajë si ekspert.
Eksperti Sheqiri në drejtim të trupit gjykues ka thënë se nuk lejon që të ironizohet dhe të ofendohet, përderisa kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj ka thënë që të lihen polemikat dhe të vazhdohet me parashtrimin e pyetjeve.
Eksperti financiar në deklarimin e tij tha se në rastin e përpilimit të ekspertizës është konsultuar me dokumentacionin në gjuhën shqipe dhe atë angleze dhe sipas tij, nuk ka pasur dallim në mes të dy versioneve.
Sipas ekspertit në raportin mbi çështjet kyçe është shkruar se versioni 1 dhe 2 i memorandumit të informimit e thekson se hidrocentralet nuk do të privatizohen dhe se nuk është relevante të privatizohen, por që do të mbesin pronë e KEK-ut.
Tutje, avokati Berisha e ka pyetur ekspertin lidhur me një konstatim në faqen 5 të ekspertizës të tij, se në cilën pjesë të raportit të IFC-së është bazuar kur ka thënë se “..sipas raportit të hartuar nga IFC’ – raporti mbi çështjet kyçe, shkurt 2010, propozimi i KEK-ut ka qenë që hidrocentralet të jenë pjesë e distribucionit dhe shpërndarjes (KKDFE-S) edhe pse nga KEK është theksuar se ligji aktual dhe ligji i ri i propozuar për energji elektrike e ndalojnë që kompanitë shpërndarëse të mbajnë këto asete”.
Për këtë, eksperti Sheqiri ka thënë se është bazuar në raportin e IFC-së dhe se kjo pjesë përfshihet aty, por që nuk i kujtohet se në cilën faqe konkretisht.
Ndryshe, eksperti Sheqiri tha se kjo përmbajtje nuk është konstatim i tij, por vetëm citat.
“Përndryshe në faqen 33 të raportit të memorandumit të informimit tek pika 2.6 shkruan që hidrocentralet nuk është relevante të privatizohen dhe transferohen dhe si të tilla rekomandojmë të mbesin pronë e KEK-ut”, ka përsëritur eksperti financiar.
Në vazhdim, trupi gjykues ka kërkuar nga avokati Berisha që të riformulonte pyetjen e tij se a ka mundësi që e ka keqcituar me dashje apo pa dashje eksperti raportin mbi çështjet kyçe që i referohet në faqen 5 të ekspertizës.
Kjo ngase, sipas avokatit Berisha eksperti ka thënë se sipas këtij raporti ligji i ri e ndalon që kompanitë shpërndarëse të mbajnë këto asete, ndërkaq duke iu referuar raportit në gjuhën angleze, sipas tij shkruhet se nuk e ndalon.
Avokati Berisha nuk ka dashur të riformulojë pyetjen duke insistuar që të marrë përgjigje, por ka vazhduar duke tentuar ta ballafaqojë ekspertin me raportin e hartuar nga Korporata Ndërkombëtare Financiare.
Gjykatësi Valon Kurtaj kërkoi nga mbrojtja që dokumentet t’ia përcjellë turpit gjykues që fillimisht të krahasohet me atë që është në shkresat e lëndës.
Lidhur me këtë, eksperti financiar tha se gjithsesi i është referuar një raporti të tillë, por që mund të jetë apo të mos jetë ky version.
“Ndryshmet ligjore kanë qenë duke u bërë dhe u theksua në raport që nuk lejojnë që kompanitë e shpërndarjes të kenë në pronësi gjenerimin dhe prodhimin e energjisë”, tha eksperti Sheqiri.
Sërish, avokati Berisha e ka lexuar versionin e gjuhës angleze, konkretisht faqen 27 në të cilën sipas tij thuhet “se ligji për energjinë dhe draft-ligji i ri për energjinë nuk ndalojnë që kompanitë e distribucionit të jenë pronare të këtyre aseteve”, duke insistuar të di se ku është marrë citati i lartcekur në ekspertizë ku thuhet “se e ndalojnë”.
Megjithatë, e njëjta pyetje është refuzuar nga trupi gjykues me arsyetimin se eksperti është përgjigjur më herët.
Madje, avokati Berisha tha se mos ndoshta ky konstatim nuk ekziston fare në raport, por që eksperti Sheqiri tha se sigurisht që ekziston por që sipas tij, janë dy-tri memorandume dhe versione të këtyre raporteve që ndryshojnë me njëra-tjetrën.
Konkretisht, Sheqiri tha se njëri version i memorandumit të informimit nuk e përmban pikën 2.6. që flet për hidrocentrale, ndërsa një version tjetër e përmban.
Avokati Berisha sërish ka insistuar në pyetjen se a është lexuar kjo faqe e raportit me të vetmin dallim sipas tij që nga “nuk e ndalojnë, eksperti e ka transmetuar se e “e ndalojnë”.
Lidhur me këtë, prokurori special Atdhe Dema ka kundërshtuar me vërejtje pyetjen e mbrojtjes me arsyetimin se në faqen 5 të ekspertizës, eksperti nuk ka cituar por ka bërë vetëm përshkrimin të raportit të hartuar nga IFC, në të cilin është përfshirë edhe propozimi i KEK-ut që hidrocentralet të jenë pjesë e distribucionit dhe shpërndarjes.
Ndonëse, sipas prokurorit Dema eksperti ka theksuar nga të thënat e KEK-ut se ligji aktual dhe ligji i ri duke u punuar për energjinë elektrike e ndalojnë që kompanitë shpërndarëse të mbajnë këto atese, duke konsideruar që eksperti ka dhënë përgjigjen e tij.
Në raport me kundërshtimin e prokurorit Dema, avokati Berisha ka thënë se vet eksperti në fillim të parashtrimit të pyetjeve ka deklaruar se në atë faqe ka cituar dhe se insistimi i tyre është me arsyen se po e sfidojnë kredibilitetin e një prove që sipas tij ka shërbyer si arsye për ngritjen e aktakuzës.
Në vazhdim, eksperti financiar ka deklaruar se IFC e ka theksuar se hidrocentralet nuk do të transferohen te KKDFE-S, por kanë propozuar të jenë pjesë e KEK-ut, ndonëse sipas ekspertit Sheqiri, IFC nuk ka qenë vendimmarrës në çështjet e privatizimit, por ka qenë vetëm këshilluese – rekomanduese.
Po ashtu, ai ka kërkuar që në raport me tekstin e konstatuar në ekspertizë të japë përgjigje një ditë tjetër, pasi që të konsultohet me shkresat e lëndës.
Në këto rrethana të akuzuarit Arben Gjuka dhe Dardan Gashi kanë kërkuar që të mos vazhdohet me shqyrtim gjyqësor, me arsyetimin që eksperti të sjellë me vete të dokumentacionin në të cilin është konsultuar gjatë përpilimit të ekspertizës.
Andaj, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Kurtaj ka aprovuar propozimin e të akuzuarve duke kërkuar nga eksperti që për seancën e radhës më 1 prill 2022, t’i ketë me vete të gjitha dokumentet që iu është referuar në ekspertizë.
Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik 2021, gjatë së cilës seancë të akuzuarit janë deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.
Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kryetar i trupit gjykues është gjykatësi Valon Kurtaj.
Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.
Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.
Ndërsa, kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.
19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.
Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.
Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me këto veprime, PSRK i ngarkon këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
PSRK e akuzon edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj ashtu që edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform detyrave të veta.
Për më tepër, sipas aktakuzës, Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.
Me këtë, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo detyrës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet edhe Arben Gjukaj, i cili sipas PSRK-së, duke vepruar në cilësi të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se katër hidrocentrale gjeneruese të energjisë elektrike nuk është dashur të privatizohen sepse ia ndalon baza ligjore, i njëjti as nuk ka ndaluar e as nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ato asete të ngelin në kuadër të KEK-ut.
PSRK akuzonte edhe Fadil Çitakun se në cilësi të kryesuesit të Bordit të KEK-ut, si dhe Mujë Rugovën, Agim Nikën, Flamur Keqën dhe Izet Ibrahimin në cilësi të anëtarëve të Bordit të KEK-ut, se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ashtu që edhe pse kanë qenë në njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen janë edhe katër hidrocentrale, që do duhej të mbeteshin në kuadër të KEK-ut, të njëjtit më 15 tetor 2012, kanë miratuar njëzëri që një veprim i tillë të ndodh duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar.
Për këtë arsye, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Për lejimin e kalimit të katër hidrocentraleve në fjalë nga KEK tek kompania “Limak Calik”, në mënyrën të kundërligjshme sipas PSRK-së, akuzoheshin edhe ish-kryesuesi i Bordit të KKDFE-së, Gani Jashari si dhe anëtarët e Bordit të KKDFE-se, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj.
Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.
Prokuroria e akuzonte edhe Besnik Hazirin se në cilësinë e personit zyrtar, koordinator për shthurje të KEK-ut, me qëllim që t’i mundësoj çfarëdo përfitimi pasuror dhe t’i shkaktoj dëm personit tjetër, i ka tejkaluar kompetencat e veta, pasi që nga detyra që ka pasur për finalizim të aseteve dhe inventarit nga KEK në KKDFE, nuk i ka trajtuar hidrocentralet e dhëna me koncesion edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek “Limak-Calik”, gjenden edhe katër hidrocentralet në fjalë duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisës së Kosovë.
Me këtë, Haziri akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, akuzohej edhe Krenar Bujupi, i cili sipas PSRK-së, si anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe i deleguar në Komitetin Qeveritar të Privatizimit i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e pranuar marrëveshjen për transferim të aseteve mes palëve KEK, KKDFE dhe më pas tek “Limak-Calik”, si të ligjshme përkundër faktit se Ligji për ZRRE, neni 35, par4 e ka ndaluar një veprim të tillë.
Kësisoj, me këtë veprim të tij, Bujupi, akuzohej se ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ashtu që sikurse edhe të akuzuarit tjerë, i kanë shkaktuar dëme që kapin shifrën e milionave, KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar të saj.