Afera “Pronto”, Pajaziti thotë se nuk ka pasur lidhje me Bordin e drejtorëve në ndërmarrjen “Hidro-Morava”

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 10:32 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, në seancën e së hënës, në gjykimin e rastit “Pronto”, ka thënë se nuk ka pasur asnjë lidhje me Bordin e drejtorëve në ndërmarrjen publike “Hidro-Morava” në Gjilan.

“Unë nuk kam pasur asnjë relacion as me atë institucion. Tek më vonë kur është bërë publike dhe kam pasur një ftesë nga prokuroria, i kam marrë informatat se çka ka ndodhur me atë bord dhe kam mësuar se ka pasur anulim të përzgjedhjes nga ana e Qeverisë dhe nuk ka qenë pjesë e Kuvendit”, ka thënë Pajaziti.

Së bashku me Pajazitin, në rastin e njohur si “Pronto”, po akuzohen edhe ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, dhe tetë të akuzuar të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pajaziti ka deklaruar se me të pandehurit e tjerë, lidhur me konkurset e përfolura në aktakuzë, nuk ka pasur ndonjë interesim shtesë jashtë asaj bisede.

“Jo asnjëherë, me koleget që janë në këtë sallë, me disa prej tyre më ka ra me punu, disa të tjerë i kam takuar për herë të parë këtu, por janë edhe disa qindra të tjerë që unë punoj sikur me këta çdo ditë” , ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk ka pasur angazhim konkret për rastin në fjalë.

“Në rastin që bëhet fjalë as nuk kam pasur një angazhim konkret asnjë rekomandim, as një ndërhyrje e as një kontakt dhe nuk bëhet fjalë as për ndonjë presion, bile nuk kam pasur dijeni se kush menaxhon dhe kush kanë qenë njerëzit”, tha Pajaziti.

I njëjti ka deklaruar se në kohën e realizimit të bisedës telefonike, e cila është pjesë e aktakuzës, ai ka qenë në një udhëtim zyrtar me Kuvendin e Kosovës në Turqi, duke shtuar se nuk ka lejuar që mendimi i tij i lirë të jetë diçka që të konsiderohet në kundërshtim me ligjin.

“Mendoj dhe besoj shumë se trupi gjykues të jap mendimin e vet të duhur për ligjshmërinë e këtyre bisedave telefonike të cilat ne i kemi të përditshme për çështje të ndryshme dhe sidomos në disa faza të karrierës sonë të fushatave politike mund të jenë biseda ku shprehja e mendimit mund të shkojë në premtime të ndryshme. Por kjo ska të bëjë fare dhe është një dallim i madh se si veprojmë ne. Unë asnjëherë as publikisht ne çfarëdo lloj paraqitje publike nuk kam lejuar që edhe mendimi im i lirë të jetë diçka që të konsiderohet në kundërshtim me ligjin, por shprehja e mendimit të lirë është e drejtë themelore e njeriut përderisa ajo nuk shkon deri aty që  mund të bëjë pasoja thyerjen dhe shkeljen e ligjit”, ka thënë Pajaziti, gjatë mbrojtjes së tij.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Ekrem Hoxha, Pajaziti tha se për tri mandatet e punës së tij si deputet, nuk ka pasur asnjëherë rast të bie ndesh me ligjin e as me rregulloren e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, por as edhe me ndonjë ligj tjetër.

Ai gjithashtu tha se as për Bordin për të cilin ka një akuzë nuk ka qenë pjesë e përgjegjësisë dhe votimit të parlamentit.

“Parlamenti ka në përgjegjësi rregullatorët dhe disa prej agjensioneve të pavarura. Ndërmarrjet nuk kanë qenë pjesë e detyrave apo e vendimmarrjes së kuvendit”, deklaroi Pajaziti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas pyetjeve të avokatit, Pajaziti është duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale, Drita Hajdari.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura. /Betimipërdrejtësi

Të ngjashme