Përkthyesit afganë, të cilët kanë punuar me zyrtarë holandezë, janë urdhëruar nga talibanët që të dalin para gjykatave dhe familjet e tyre janë kërcënuar nëse nuk veprojnë ashtu, ka raportuar televizioni publik holandez, NOS.
Sipas këtij televizioni, i cili ka cituar një letër të talibanëve, shumë përkthyes janë duke u fshehur dhe familjet e tyre do të “ndëshkohen rëndë si mësim për tradhtarët tjerë”, nëse nuk dorëzohen.
Në letër – e cila i është dërguar një ish-përkthyesi për Agjencinë Policore të Bashkimit Evropian, EUROPOL, në Afganistan – është thënë se përkthyesi ka punuar për të huajt dhe ka pranuar “paratë e tyre të pandershme dhe të ndaluara”.
NOS ka raportuar se shumë përkthyes kanë pranuar letra të ngjashme.
“Ne do të hakmerremi. Nëse nuk ju gjejmë juve, do ta paguajnë të afërmit tuaj”, është thënë në një letër dërguar një tjetër përkthyesi.
Prej kur kanë marrë pushtetin, në gusht të këtij viti, talibanët kanë qenë në kërkim të personave që kanë punuar me forcat e huaja po që kanë punuar për qeverinë e rrëzuar.
Grupi fundamentalist ka thënë se ish-ushtarët dhe zyrtarët qveritarë janë të nevojshëm për t’i shërbyer shtetit dhe ka lëshuar një falje të përgjithshme.
Mirëpo Kombet e Bashkuara dhe grupet për të drejta të njeriut, kanë raportuar se, talibanët janë duke ndjekur ata që kanë punuar me forcat e huaja dhe qeverinë e kaluar dhe me raste i kanë ndaluar apo ekzekutuar ata.
Në muajin shtator, Ministri në detyrë i Mbrojtjes nga radhët e talibanëve, Mullah Mohammad Yaqub, ka prauar në një deklaratë me zë se militantët janë hakmarrë përmes vrasjeve, ndonëse grupi i ka faluar ata.