Një zyrtar lokal afgan thotë se të paktën 11 ushtarë janë vrarë gjatë një sulmi të militantëve në një pikë të kontrollit, në pjesën perëndimore të vendit.
Mohammad Naser Mehri, zëdhënës i guvernatorit në provincën Farah, thotë se katër ushtarë po ashtu janë plagosur gjatë të shtënave në qarkun Bala Buluk.
Nëntë kryengritës po ashtu raportohet të jenë plagosur.
Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, por Mehri fajëson talibanët, duke thënë se ky grup, kohëve të fundit ka intensifikuar sulmet në këtë provincë.
Në provincën Helmand, në jug të Afganistanit, po në të njëjtjën ditë, një polic është vrarë nga një sulm me makinë-bombë, ka njoftuar një zëdhënës i kësaj province. Ndërkaq, janë plagosur edhe 11 policë dhe ushtarë të tjerë. Edhe për këtë sulm askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë.