Afganistani zbulon rrjetin e pedofilëve që dyshohet për dhunimin e mbi 500 djelmoshave

Prishtinë | 13 Nën 2019 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Një rrjet pedofilësh që dyshohet se janë të përfshirë në abuzimin seksual të së paku 546 djelmoshave të gjashtë shkollave është zbuluar në provincën Logar të Afganistanit. Në mesin e tyre ka edhe mësues.

Sipas aktivistëve që i publikuan disa pamje të abuzimeve në Facebook, disa nga viktimat e dhunës seksuale tashmë janë vrarë.

Pesë familje i vranë djemtë e tyre pasi fytyrat e tyre u panë në videot e publikuara në rrjetet sociale. Dy djem të tjerë, njëri 13 dhe tjetri 15-vjeçar, u vranë javën e kaluar, por nuk dihet ende nga kush.

Një organizatë e shoqërisë civile, e quajtur Institucioni Rinor, Social dhe Civil i Logar-it, e cila ka zhvilluar veprimtari në këtë provincë për 16 vjet, e zbuloi këtë skandal pas gjetjes së më shumë se 100 videove në rrjetet sociale.

Kjo organizatë është duke kryer hetime edhe në disa shkolla të mesme në rajon pasi beson se mijëra fëmijë të tjerë mund të kenë qenë viktima të abuzimeve nga pedofilët.

Mohammed Mussa, punëtor social në këtë organizatë, dyshon se në këtë rrjet të abuzuesve të përfshirë janë edhe disa mësues dhe zyrtarë të autoriteteve lokale.

“Djemtë me të cilët kemi biseduar ne janë të moshës 14 deri 20-vjeçare dhe rastet janë raportuar në zonat me siguri relative. Kjo është arsyeja pse ne mendojmë se numri i tyre mund të rritet në masë të konsiderueshme”, tha ai.

Një djalosh 17-vjeçar, emri i të cilit nuk është publikuar, tha se i ka incizuar kërkesat e mësuesit të tij kujdestar në telefon vitin e kaluar. “Ai më tha se më dashuronte dhe se dëshiron të kryejë marrëdhënie seksuale me mua”. Prindërit nuk i kishin besuar derisa e kishin dëgjuar incizimin në telefon.

Nxënësit thanë se mësuesi kujdestar e kishte ndërtuar një dhomë private brenda librarisë së shkollës, në të cilën i dhunonte seksualisht nxënësit meshkuj pas mësimit dhe në fundjavë.

Një nxënës tjetër i moshës 18-vjeçare, i cili shkonte në një shkollë të mesme, tha se njëri nga mësuesit nuk i jepte notë kaluese dhe i kërkonte shërbime seksuale për t’i dhënë notë kaluese shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express. “Mësuesi më tha se nuk kam nevojë të mësoj, sepse do të më kalojë”, tha ai.

Mussa thotë se një pjesë e madhe e djemve të dhunuar janë edhe të kërcënuar. Sipas tij, ata detyrohen të shesin drogë ose të bëjnë vepra të tjera ilegale me kusht që videot e dhunimit të tyre të mos publikohen nga abuzuesit

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme