Pakujdesi e autoriteteve të Aeroportit të Shkupit apo provokim – këta janë dy skenarë të mundshëm për atë që i ka ndodhur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit më 1 gusht, thotë për Radion Evropa e Lirë Afrim Hoti, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Kjo, në bazë të informacioneve që deri më tani janë bërë publike.
Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, më 1 gusht, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV). Këshilltari politik i presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se pavarësisht faktit që i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, “ai [sigurimi] ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për t’i hapur rrugën”.
Autoritetet maqedonase i kanë hedhur poshtë këto akuza të Presidencës kosovare, por thanë se kanë nisur hetimet për këtë rast. Nga kompania TAV thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë.
Sipas Hotit, sigurimi i aeroportit “absolutisht nuk ka të drejtë” të sillet siç është sjellë me presidenten Osmani. Ai konsideron se nëse flasim për skenarin e një pakujdesie, atëherë e drejta ndërkombëtare parasheh kërkim-faljen
REL: Si e shihni ju këtë incident që ka ndodhur në Aeroportin e Shkupit?
Hoti: Po, parimisht, të paktën në bazë të informacioneve që deri më tani kanë dalë në publik, mendoj që janë dy skenarë. Skenari i parë është një pakujdesi e autoriteteve të Aeroportit të Shkupit. Ne kemi parasysh faktin që edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Kosovë, po edhe gjetiu, jo i gjithë stafi që punon nëpër pika kyç, ka përgatitjen e duhur për të kuptuar privilegjet dhe imunitetet diplomatike të autoriteteve publike.
Në këtë drejtim, mendoj që skenari i parë pra flet për një pakujdesi të stafit.
Ndërkohë, që ekziston mundësia edhe e ndonjë skenari tjetër që flet eventualisht për provokime të caktuara, të cilat janë të besueshme në rastin aktual për faktin që tashmë atje e kemi edhe elementin serb në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë Veriore dhe që edhe skenarë të tillë eventualisht nuk do të duhej të përjashtoheshin.
REL: A ka të drejtë sigurimi i një aeroporti të kontrollojë gjërat personale, si telefoni i një zyrtari shtetëror?
Hoti: Jo, absolutisht nuk ka të drejtë. Konventa e Vjenës për Privilegjet dhe Imunitetet diplomatike parasheh lehtësi të lëvizjes së autoriteteve publike, qofshin ato të brendshme, pra organet e brendshme, ku flasim për kryeparlamentarin, ministrin e Jashtëm, presidentin e vendit, po edhe për stafin tjetër diplomatik, nuk ka të drejtë të kontrollojë bagazhin e tyre, ndërkohë që nëse flitet për skanim eventual, pra që valixhja diplomatike, duke përfshirë këtu edhe të telefonit, që të kalojnë nëpër skanerët e sigurisë, atëherë gjithsesi që duhet të ndiqet procedura standarde sikur për të gjithë të tjerët.
REL: Profesor Hoti, pra ju, si e cilësoni këtë incident, si pakujdesi apo si provokim, si skenar provokimi?
Hoti: Po tash të them të drejtën, nuk i kam të gjitha informacionet, sepse qarkullojnë dy variante të ndryshme dhe nuk mund të mbaj një pozicion të caktuar, sepse pozicioni i caktuar, pa argumente, interpretohet edhe si spekulim. Por, unë dua të besoj që flasim për një pakujdesi të autoriteteve maqedonase për ta trajtuar presidenten e një vendi. Madje, përfshirë edhe rastet kur qëndrimi i saj nëpër vende të treta është incognito. Edhe sikur të ishte një vizitë private, presidentja gëzon të gjitha privilegjet dhe se autoritetet duhet ta trajtonin si të tillë.
REL: Autoritetet maqedonase thonë se kanë nisur hetimet, por në njëfarë forme, në njëfarë mënyre, kanë arsyetuar atë se çka ka ndodhur. Çka do të duhej të bëjnë tash autoritetet maqedonase?
Hoti: Për të arritur satisfaksionin, në veçanti nëse flasim për skenarin e një pakujdesie, atëherë e drejta ndërkombëtare parasheh kërkim-faljen, nëse flasim eventualisht për pakujdesi, po madje në raste të caktuara, edhe sikur të ishte ndonjë provokacion i mbyllur ose privat i një zyrtari të caktuar atëherë, normalisht që kërkim-falja do të ishte satisfaksion për autoritetet tona.
Nëse flasim për skenar të caktuar, atëherë normalisht që marrja e masave ndaj zyrtarit që ka bërë një provokim të tillë do të shkaktonte satisfaksion për Kosovën.