Afrim Tovërlani i ka hedhur poshtë lajmet se është takuar me drejtuesit e Ballkanit për të biseduar për postin e trajnerit e klubit suharekas, pas shkarkimit të Bledi Shkëmbit.
Tovërlani është i papunë që prej tetorit, kur u largua nga Feronikeli në fillim të këtij sezoni pas rezultateve të dobëta.
Ballkani do të jetë në treg për një trajner të ri për sezonin e ardhshëm këtë verë, pasi e shkarkoi Shkëmbin javën e kaluar pas humbjes tronditëse kundër Arbërisë, e cila ia humbi shanset për titull në Superligë.
Ndihmëstrajneri Ardian Basha do ta udhëheqë Ballkanin në ndeshjet e mbetura të këtij sezon.
Tovërlani i hodhi poshtë për Gazetën Express thashethemet në media se u takua me drejtuesit e Ballkanit.
“E vërteta është se nuk jam takuar me asnjë zyrtar të Ballkanit”, konfirmoi Tovërlani për Gazetën Express.
54-vjeçari – i cili është ndër trajnerët më të suksesshëm në vend falë trofeve gjatë periudhave të tij me Prishtinën dhe Feronikelin – shtoi: “Ata i kanë edhe dy ndeshje me rëndësi dhe nuk është mirë të trazohen sepse ende e kanë mundësinë të dalin ne garat evropiane”.