Agani: Sigurimet shëndetësore është dashur të nisin në 2015, PDK dhe LDK dështuan

Prishtinë | 13 Kor 2019 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka folur për veprimet e tij të para për reformat në shëndetësi në kuadër të të cilave planifikonte edhe funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor dhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Ish-ministri ka deklaruar se ka pasur memorandum bashkëpunimi me qeverinë e Luksumburgut për krijimin dhe funksionalizimin e SISH dhe FSSH.

“Strategjia e SISH e ka pas një kosto prej 16 milionë euro në total për 10 vite të implementimit. Nga viti 2012 deri në 2014 ka qenë në plan shtrirja e hardëerit në 30 për qind të institucioneve shëndetësore në regjionin e Prizrenit, komunën e Prishtinës dhe QKUK. Vlera e përgjithshme e pajisjeve që janë implementuar ka qenë 1 milion e 490 mijë euro. Prej tyre 1 mln e 50 mijë euro janë dhënë nga qeveria e Luksemburgut”, ka deklaruar Agani, shkruan Gazeta Shneta.

Ai ka thënë se ka pasur monitorim të vazhdueshëm të implementimit nga ana e auditorit të brendshëm dhe të jashtëm. Ramaj i ka kujtuar ish-ministrit se pasardhësi i tij, Imet Rrahmani, kishte deklaruar se SISH nuk ka qenë funksional.

Por Agani ka mohuar duke thënë se SISH ka qenë në implementim e sipër në vitin 2014 dhe në vitin 2015 ka qenë i gatshëm të funksionalizohet tërësisht. Ai është ankuar se krerët e koalicionit të qeverisë Thaçi-Mustafa 2014-2017 nuk ia kishin dhënë ministrinë e Shëndetësisë në mandatin e dytë për ta përfunduar reformën në shëndetësi, ndonëse për këtë kishte insistuar vazhdimisht.

Agani ka mohuar se ka pasur keqpërdorime gjatë mandatit të tij në investimet që janë bërë në lidhje me implementimin e SISH-it. Ai ka deklaruar se ardhja e ministrit të ri ka sjellë dështimin e këtyre reformave, duke aluduar në ish-ministrin Imet Rrahmani. Agani ka thënë se LDK dhe PDK kanë dështuar në funksionalizimin e SISH dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Ish-ministri ka folur edhe për raportet e tij me Imer Shahinin, pronarin e kompanisë “Printex” e cila kishte përfituar tender në mandatin e tij për implementimin e SISH-it. Ai ka thënë se këtë kompani e ka gjetur me kontratë kur e ka marr mandatin në MSH, me të njëjtën ka punuar dhe ka thënë se nuk ka pasur asnjë dyshim për punën e tyre.

Agani ka folur edhe për dënimin me 2 vjet e 6 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë në rastin “Stenta 1”. Ai ka thënë se ende nuk e ka marr vendimin zyrtarisht dhe për të njëjtin do të vazhdojë procedurat për apelim.

Agani ka thënë se nga mandati i tij nuk ka ndryshuar asnjë ligj në shëndetësi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme