Kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka ururar Ditën Botërore të Gazetarëve Sportivë.
FFK gjithmonë ka qenë e hapur dhe e afërt për gazetarët sportivë. Të njëjtën rrugë do ta ndjekë edhe në të ardhmen, duke i ndihmuar ata që të jenë afër Kombëtares së Kosovës kudo që ajo paraqitet, thuhet ne urimin e Kryetarit të FFK-së.
Njoftimi i plotë:
Mesazh urimi i presidentit Agim Ademi për Ditën Botërore të Gazetarëve Sportivë
Të dashur drejtues të SHGSK-së!
Të dashur gazetarë sportivë të Kosovës!
Me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve Sportivë kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim, të KE-së së FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të ju përcjell urimet më të sinqerta, duke përfshirë këtu edhe doajenët e gazetarisë sportive që tashmë e gëzojnë pensionimin.
Në muajt e ardhshëm na presin ndeshje të rëndësishme dhe sigurisht se ashtu sikurse ne dhe tifozët Dardanë, edhe ju i prisni me padurim sfidat e reja të Kombëtares së Kosovës, që tashmë është shndërruar në emblemë krenarie për shtetit tonë.
FFK gjithmonë ka qenë e hapur dhe e afërt për gazetarët sportivë. Të njëjtën rrugë do ta ndjekë edhe në të ardhmen, duke i ndihmuar ata që të jenë afër Kombëtares së Kosovës kudo që ajo paraqitet.
Gazetarët sportivë dhe mediet ku ata i pasqyrojnë të arriturat por edhe brengat e futbollit, janë një segment tejet i rëndësishëm për informimin e opinionit dhe vlerë e rëndësishme e kësaj shoqërie.
Misioni i gazetarëve sportivë është i shenjtë, pasi lartëson të arriturat e sportistëve dhe u jep atyre motiv shtesë për punë dhe suksese të reja. Në të njëjtën kohë edhe ngritja e shqetësimeve dhe e kritikave me vend na ndihmon që sporti të ecë në rrugën e duhur të zhvillimit.
Andaj, në këtë ditë të veçantë, edhe një herë ju përgëzoj të gjithë juve gazetarë të nderuar sportivë, duke ju inkurajuar që të jeni sa më pozitivë dhe profesional në ngjarjet sportive, e të vazhdojmë me idenë dhe praktikat ‘Sporti i pari, pastaj të tjerat’.
Uroj të vazhdoni të palodhur punën tuaj në këtë periudhë të vështirë për shkak të pandemisë, me shpresën që edhe këtë sfidë do ta kalojmë pa pasoja dhe duke e përkrahur njëri-tjetrin. Shëndet e suksese për Ju dhe familjet e Juaja,