Agim Bahtiri me përkrahësit e tij e paralajmërojnë Kurtin: Mos nënshkruaj kurrfarë Asociacioni se populli nuk do ta pranojë

Mitrovicë | 26 Shk 2023 | 12:53 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mbledhur përkrahësit e tij në një tubim në fshatin e tij të lindjes, Gushavc, nga ku i kanë dërguar porosi kryeministrit Albin Kurti që mos të pranojë kurrfarë Asociacioni të komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.

Bahtiri, i cili ka qenë dhe kryetar i Vetëvendosjes në Mitrovicë, kërkoi nga kryeministri Kurti që të mos lëshojë “pe” për formimin e Asociacionit. Ai tha se çdo Asociacion i cili bëhet në Kosovë do të jetë tumor për vendin.

“Është brengë e gjithë qytetarëve tonë, e sidomos të kësaj ane, e cila ka ndikim… Çdo asociacion i cili bëhet në Kosovë do të jetë tumor i shtetit tonë sovran. Të drejtat që ne ua kemi dhënë pakicave nuk i ka dhënë në asnjë vend në botë”, tha ai.

Nazmi Beka, përfaqësues i fshatit Gushavc, tha se populli është kundër çdo subjekti politik që ka aspirata që ta formojë një Asociacion dhe ta bëjë një Bosnjëzim të Kosovës.

“Nuk jemi kundër vetëm kësaj qeveri por çdo kryeministri, çdo subjekti politik që ka ëndrra dhe aspirata që ta formojë një Asociacion dhe ta bëjë një Bosnjëzim të Kosovës. Padyshim që ana jonë, fshatrat tonë do të jenë stoik të qëndrueshëm për të frymuar këto troje shqip. Gushavci, Suhodolli, Lagja e Boshnjakëve… Sa të këtë jetë në këtë tokë do të jenë vetëm fshatrat shqiptarë dhe nuk di të lejojmë që të jenë diçka tjetër”, tha ai.

Bahtir Istrefi nga Sindikata e Kombinatit “Trepça”, tha se e porosit kryeministrin Kurti që të mos e pranojë formimin e Asociacionit sepse sipas tij populli nuk do ta pranoj.

“Ne nuk i pranojmë këto Asociacione se nuk janë të mira për ne por të dobishme për Serbinë. Ne duhet të ngulim këmbë dhe të mbrojmë këtë vend. Sepse më këtë Evropë deri te molla e kuqe na ka pru Serbia deri këtu me njerëzit tonë që kanë qenë të shitur. I bëjë apel Kryeministrit që do të shkojë atje të mos gabojë të hyjë në këto punë sepse Asociacionet nuk i pranojmë”, tha ai.

Tubimi mbahet vetëm një ditë para takimit të 27 shkurtit, në Bruksel, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku ka paralajmërime se mund të nënshkruhet marrëveshja për pranimin e Planit Franko-Gjerman. Sikur dihet, në nenin 9 të marrëveshjes shkruan se palët do të zbatojnë “të gjitha” marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel, e ku përfshihet edhe formimi i Asociacionit.

Të ngjashme