Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Artet Pamore “Muslim Mulliqi”, raporton Ekonomia Online.
Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Post Mortum” për vitin 2018, i është ndarë profesorit të ndjerë, Agim Çavdarbasha.
Ndërkaq, çmimi për të arriturat në fushën e artit pamorë, çmimi vjetor për 2019-ten, iu nda profesorit Agim Salihu.
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, tha se është ditë e veçantë për krijuesit e kësaj fushe dhe për MKRS-në ndarja e këtyre çmimeve.
“Është një ditë e veçantë për krijuesit e kësaj fushe, por edhe për ne si MKRS që të jemi afër edhe në kuptimin e mirënjohjes dhe falënderimit përmes dhënies së çmimeve, vendimmarrja ka kaluar përmes një jurie profesionale të cilën e falënderojë për një punë dhe angazhim. Ishte jashtëzakonisht moment i veçantë që juria ka vendosur për çmimin që i jepet një figure të madhe siç është profesor Agim Çavdarbasha dhe për çmimin tjetër për profesor Agim Salihu”, tha Gashi.
Profesori Agim Salihu, fitues i çmimit për të arriturat në fushën e artit pamorë, çmimi vjetor për 2019-ten, tha se është moment i veçantë dhe shumë i rëndësishëm kur shteti e nderon artistin.
“Ky çmim është shumë i rëndësishëm, pasi shteti po e nderon artistin. Kur shteti e nderon artistin atëherë ka peshë më të madhe. Ky çmim e ka peshën e madhe sepse e ka emrin e doajenit të madh, Muslim Mulliqi”, tha ai.
Sebahte Çavdarbasha, gruaja e artistit të ndjerë Agim Çavdarbasha, e cili e pranoi çmimin, tha se janë shumë të lumtur për këtë vlerësim të cilin edhe e kanë pritur, siç tha ajo, për një artistë mbarëkombëtarë.
“Unë jam e lumtur që sot ju bashkë me ekipin e juaj keni bë vlerësimin më të lartë, mendoj që deri tani e kemi pritë dhe ai nuk është një artist i përmasave veç kosovare por edhe mbarëkombëtare dhe jashtë kufijve tanë”, tha ajo, raporton EO.
Sipas jurisë vlerësuese në përbërje të Mehmet Behluli, Mirsad Lushtaku dhe Besnik Xhemaili, prof. Agim Çavdarbashës i ndahet postmortum Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” pasi që me aktivitetin e tij përveç që ka kontribuar në cilësinë e artit pamor ka prezantuar Kosovën edhe në Dokumentaa 14, që njëherësh është edhe një prej aktiviteteve më me peshë në skenën e artit botëror.
Ndërsa prof. Agim Salihut i ndahet Çmimi Vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor pasi që me aktivitetet e tij ka lënë gjurmë në artin pamor, ka prezantuar Kosovën edhe në disa aktivitete-bienale shumë të rëndësishme si në Kinë dhe Japoni.