Agim Çeku pas shpalljes së aktgjykimit në rastin “Veteranët”: “Ishte një vendim i drejtë dhe i pritur”

Prishtinë | 19 Jan 2021 | 11:48 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Agim Çeku, i akuzuar në rastin e njohur si “Veteranët”, ka deklaruar se aktgjykimi lirues ndaj tij dhe të akuzuarve tjerë është i drejtë dhe i pritur.

“Aktgjykimi lirues për mua dhe anëtarët e tjerë të komisionit për verifikimin e veteranëve është aktgjykim i drejtë, i pritur. Gjatë tërë kohës që nga fillimi e kam ndjerë vetën të pafajshëm, këtë e dëshmuam gjatë këtij procesi dhe ishte një vendim i drejtë dhe i pritur”, tha Çeku, pas shpalljes së aktgjykimit të martën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai së bashku me ish-ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputetin Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtakun, Sadik Halitjahan, Qelë Gashin, Shukri Bujën, Ahmet Dakun, Faik Fazliun, Smajl Elezajn, Fadil Shurdhajn dhe Xhavit Jasharin janë liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin të vitit 2019.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro. (BetimipërDrejtësi)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme