Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se kriza energjetike në vend është “krizë e prodhuar në Kosovë” për shkak të mungesës së një strategjie zhvillimore dhe energjetike.
Ai, në një intervistë për Ekonomia Online, ka treguar se, në bazë të hulumtimeve të AKB-së, që nga fillimi i reduktimeve të “ashpra”, Kosova ka humbur rreth 40 milionë euro si pasojë e dëmtimit të bizneseve nga ndërprerja e energjisë.
Në baza ditore, Shahini thotë se, për 25,000 mijë biznese sa janë përfshirë në hulumtim, të cilat përdorin gjeneratorë, shpenzimet për derivate kapin një shifër rreth 1 milion euro.
“Ekonomia e Kosovës po kalon në faza të krizave të njëpasnjëshme, së fundi edhe nga ajo energjetike, e cila është krizë e prodhuar në Kosovë në mungesë te një strategjie zhvillimore dhe energjetike”.
“Që ga data 16 gusht, kur ka filluar reduktimi i ashpër, kemi hulumtuar mbi 25.000 biznese që përdorin gjeneratorë të ndryshëm për të kompensuar energjinë elektrike. Këto biznese janë duke i shpenzuar mbi 600 mijë euro në ditë vetëm për derivate të gjeneratorëve. Së bashku me bizneset që e përdorin gjeneratorin herë pas here (jo 6 orë në ditë sa ndalet rryma), kjo shifër kap shumën prej 1 milion euro në ditë”.
Ndërsa, si pasojë e reduktimeve me energji elektrike, AKB ka vlerësuar se Kosova ka humbur 40 milionë euro.
“Gjatë kësaj periudhe, në ekonominë e përgjithshme, vlerësohet se janë humbje rreth 40 milionë euro nga mungesa e energjisë, krizat e energjisë dhe mungesa e saj e vazhdueshme”, ka thënë Shahini.
“Qeveria ka ndarë rreth 40 milionë euro për ta paguar rrymën në veri, e po aq ka krijuar edhe humbje në tërë Kosovën për shkak të ndërprerjes së energjisë”.
Tutje, Shahini ka thënë se nëse reduktimet vazhdojnë, mund të ketë edhe raste të mbylljeve të bizneseve.
“Nuk kemi rezultate që ndonjë biznes është mbyllur nga kriza, por nëse kjo vazhdon bizneset mund të mbyllen sepse energjia është organi kryesor i ekonomisë dhe zhvillimit të saj, duke përfshirë këtu edhe energjinë elektrike, por edhe derivatet e naftës dhe benzinës”.
Ai ka treguar edhe disa mundësi që Kosova i ka pasur me vendet fqinje, të cilat thotë se do ta ndihmonin atë në tejkalimin e krizës energjetike.
“Kosova nuk ka strategji për të dalë nga kriza energjetike, por Kosova ka pasë mundësi të dalë nga kjo krizë. Kanë qenë disa momentume qe Kosova i ka lëshuar dhe nuk i është përgjigjur kërkesave të investitorëve dhe blerësve të huaj”.
“Së pari, refuzimi mbi një vjet e gjysmë i rezervave të gazit nga fondi i MCC-së. Së dyti duke refuzuar disa shtete qe kanë kërkuar thëngjill nga Kosova me kompensim me energji elektrike, siç është Maqedonia, me të cilën kanë pasur disa takime por nuk kanë arritur marrëveshje sepse koncepti i Qeverisë se Kosovës nuk është i lidhur me ekonominë e tregut. Së dyti, Serbia ka kërkuar në formë indirekte dhe direkte thëngjill. Rreth 400 milionë euro produkte të gatshme vijnë nga Serbia në Kosovë. Në këtë rast kemi pasur mundësi që ta ulim bilancin tregtar me këto shtete, të cilin e kemi negativ aktualisht”.
“Kosova ka rezerva të thëngjillit për 600 vjetët e ardhshme, ndërsa ballafaqohemi me mungesë të energjisë elektrike. Vetëm Kosova nga Ballkani Perëndimor ballafaqohet me këtë mungesë edhe pse çmimin e energjisë e kemi me të shtrenjtin në Ballkan”, ka thënë Shahini për EO.